I vetmi lider që i mungoi Samitit të Tiranës nga të gjithë liderët e Bashkimit Evropian ishte Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez. Përmes një letre drejtuar Kryeministrit Rama, Sanchez ka shprehur keqardhjen që nuk mund të vinte sot në Shqipëri për shkak se në vendin e tij festohet Dita e Kushtetutës, një ditë shumë e rëndësishme për historinë e Spanjës.
“I dashur Kryeministër, i dashur Edi: U gëzova shumë që munda të të takoj javën e kaluar në Kongresin XXVI të Internacionales Socialiste në Madrid, ku treguam edhe njëherë forcimin e përkushtimit tonë për demokracinë, barazinë, drejtësinë sociale dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Është vërtet një kënaqësi për mua të kem miqësinë dhe mbështetjen tënde në këtë projekt të përbashkët.
Fatkeqësisht, më është e pamundur të jem në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin Bashkimi Evropian –Ballkani Perëndimor që do të mbahet në datën 6 dhjetor, pasi në të njëjtën ditë, në Spanjë festohet Dita e Kushtetutës, ditë, në të cilën përkujtojmë miratimin me referendum nga spanjollët dhe spanjollet të Kushtetutës së vitit 1978, i cili i dha fund dyzet viteve të diktaturës dhe që nga ai çast ka udhëhequr bindjen tonë demokratike. Si çdo vit, do të zhvillohet në Madrid një nga festimet më të rëndësishme të kalendarit institucional, me një protokoll të rreptë, ku pjesëmarrja ime është e domosdoshme.
Kjo nuk e mpak në asnjë mënyrë përkushtimin e Spanjës dhe timin personal mbi të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe të Shqipërisë në veçanti, të cilin do të vazhdojmë ta mbështesim sa herë të paraqitet rasti. Një përqafim të fortë!”, thuhet në letrën e Kryeministrit të Spanjës për Ramën./m.j