Gjykata e Apelit shtyn seancën e radhës të shqyrtimit të ankimit të mbështetësve të Lulëzim Bashës kundër vendimit që nuk regjistroi në një vendim të vetëm dy kuvendet. Seanca u shty për në 20 dhjetor për shkak të mosplotësimit të trupit gjykues.
Të pranishëm në sallë anëtarët Irida Kacerja dhe Genti Shala, ndërsa mungonte gjyqtarja Emona Muçi për arsye shëndetësore.
Gjykata do të marrë vendim mbi ankimin e bërë nga grupimi i Lulzim Bashës në PD kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës të 18 marsit 2022, që refuzoi të regjistronte bashkë edhe ndryshimet statutore të Kuvendit Kombëtar të 17 korrikut të kaluar, edhe ato të 18 dhjetorit, kuvende të thirrura nga Lulzim Basha.
Ky ankim është një nga tre ankimet e grupimeve të Partisë Demokratike në Gjykatën e Apelit. Në 16 maj, në këtë gjykatë janë depozituar dy të tjerë nga ana e anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit, mbështetësit e Sali Berishës në PD.
Kërkesa e parë ankimore është kundër ankimit të bërë nga Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës, që ligjëroi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit 2021, të thirrur nga Sali Berisha.
Ndërsa në tjetrin, mbështetësit e Berishës kundërshtojnë vendimin që e pranoi Alibeajn si palë në përballjen e tyre gjyqësore. Këto dy ankime janë në pritje të shqyrtimit dhe ende nuk është caktuar një datë për to.
/a.r