Zhvillohet sot në Shqipëri samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku liderët e bllokut 27 vendesh dhe 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen së bashku me zyrtarë të Komisionit Evropian dhe Këshillit Europian. Qeveritarët e kanë konsideruar një ditë historike për vendin, pasi për herë të parë në Tiranë do të mbahet një samit i përmasave të tilla.
Temat kryesore të tij do të jenë te lufta në Ukrainë, migracioni, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar si edhe përforcimi i sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja.
Një pjesë e liderëve ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar të hënën, një ndër to, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ndonëse deklaroi pak ditë më parë se nuk do të vinte në samit, pasditen e së hënës bëri konfirmoi pjesëmarrjen.
Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë duke “blinduar” kryeqytetin. Një pjesë e rrugëve do të jenë të bllokuara dhe ka devijim të rrugës edhe për disa akse interurbane të Tiranës.
Policia e Tiranës bën të ditur se bllokimi i lëvizjes në këto akse do të nisë nga ora 06:00, e mëngjesit të së martës deri në orën 18:00. Në disa rrugë u vendos perimetër sigurie, që në datën 5 dhjetor në orën 14:00.
Samiti i së martës do të zhvillohet mes protestave të drejtuara nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzon qeverinë Rama për korrupsion dhe se nuk bën asgjë për të parandaluar emigracionin masiv.
Berisha ka thënë se protesta do të mbahet në orën 12:00 para Kryeministrisë. Edhe pse policia nuk ka dhënë leje për protestën, kreu demokrat ka deklaruar se populli opozitar do të mbushë rrugët dhe sheshet e Tiranës.
/a.r