Grupi i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, konsideron se udhëheqja e Komuna është e kapur nga “bossat” e Vetëvendosjes e Shpend Ahmeti është “marioneta” fatkeqe.
Përmes një komunikate për media të LDK-së, thuhet se kryetari i kryeqytetit po u shërben “bossave” të zyrave politike të VV-së dhe përpjekjeve të tyre për rrëzimin e shtetit, duke mos kursyer nga kjo lojë, kryeqytetin dhe qytetarët e tij.
“Kryetari i Prishtinës, këtyre përpjekjeve, të rrëzimit të shtetit nga kryeqyteti, po u shërben me dëshirë e pa dëshirë. Të njëjtit, edhe kryetari i kryeqytetit edhe ‘bossat’ e Vetëvendosjes, duke e parë dështimin e tyre politik, duke e shkelur ligjin dhe normat qytetëruese, po përpiqen që edhe festat shtetërore t’i shndërrojnë në festa me imazhin më të keq për Republikën, me imazhin e rrëzimit të shtetit”, thuhet në komunikatën e LDK-së në Prishtinë.