Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake në botë, por numri i ushtarëve tanë është i vogël. Aleanca ka kërkuar që ushtria shqiptare të shkojë drejt rekrutëve me pagesë, ndërsa stërvitja e detyruar ushtarake, që njihej me emrin e huazuar nga rusishtja “zbor”, është hequr.
Por, edhe nëse sot i gjithë populli nuk është ushtar, qeveria mendon se, mbrojtja e vendit është detyrë e të gjithëve. Së paku në raste emergjence kombëtare.
Qeveria “Rama”, nëpërmjet një vendimi ka miratuar “planin e mobilizimit të përgjithshëm, ose të pjesshëm, të burimeve njerëzore, gjatë periudhës për të cilën kërkohet vendosja e masave të jashtëzakonshme” raporton Tch.
Sipas këtij vendimi:
“Mobilizimi ushtarak është detyrim ligjor i shtetasve për të siguruar plotësimin e njësive e të reparteve të strukturave ushtarake me personel, gjatë periudhave në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme. Mobilizimi kryhet në bazë të situatave të veçanta dhe nevojave të Forcave të Armatosura”.
Shqipëria merr pjesë në disa misione ushtarake ndërkombëtare përmes ushtarakëve profesionistë. Jo më, sipas vendimit të fundit të qeverisë. Tani, në Irak apo Afganistan mund të shkojnë edhe rezervistë.
“Forcat rezervë, të cilat thirren gjatë mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm, janë pjesë e Forcave të Armatosura, të cilat janë të gatshme për pjesëmarrje gjatë gjendjeve kur janë vendosur masa të jashtëzakonshme, si dhe për pjesëmarrje në misione/operacione në mbështetje të paqes, jashtë vendit”.
Rezervistët do të regjistrohen përmes Qendrës së Rekrutimit dhe Personelit, një përvojë kjo e dikurshme e kohës kur shërbimi ushtarak ishte i detyruar në çdo kohë. Ajo që nuk dihet ende është nëse, ashtu si dikur, të gjithë si popull do të pajisemi sërish me librezën e ushtarit.