Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla në përfundim të vizitës dy ditore në Bruksel ka dhënë një deklaratë të përbashkët me Kryetarin në Parlamentin Europian, Manolis Kefalogiannis.
Dy bashkë Kryetarët kanë deklaruar se të dyja parlamentet kanë një interes të madh për të pasur një dialog dinamik dhe për të mbështetur në mënyrë pro aktive procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Këto takime janë një shenjë e qartë se të dy parlamentet kanë një interes të madh për të pasur një dialog dinamik dhe për të mbështetur në mënyrë pro aktive procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, i cili ka marrë një shtysë të fortë me mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare në muajin korrik, dhe me nisjen e ardhshme të procesit screening”.
Balla është shprehur se ky takim ishte tepër produktiv, ku u miratua një set rekomandimesh të plota që pasqyrojnë qëndrimet e të përbashkëta për një numër të madh çështjesh të rëndësishme dhe aktuale.
“Jemi krenarë që qasja jonë e përbashkët, e orientuar drejt konsensusit, na mundësoi dhe një herë ta mbyllim takimin tonë duke miratuar një set tjetër rekomandimesh të plota që pasqyrojnë qëndrimet tona të përbashkëta për një numër të madh çështjesh, përfshi vlerësimet gjeo-politike dhe solidaritetin tonë të palëkundur me Ukrainën dhe dënimin e agresionit rus, arritjet dhe sfidat në procesin e reformave, mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshi të drejtat e pakicave dhe lirinë e medias, si dhe perspektivën për përjashtimin e tarifave roaming midis Shqipërisë e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe vendeve anëtare të BE-së”.
Ky ishte takimi i dytë për vitin 2022, pas takimit që u mbajt në Tiranë, në muajin shkurt.
/e.d