Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri konfirmoi sot në Kuvend se drafti për Byronë Kombëtare të Hetimit është plotësisht i dakordësuar me opozitën.
Duke iu referuar ketij projekti, Tahiri tha se pavarësisht se emërimi i drejtorit të Byrosë do të bëhet nga ministri i Brendshëm, ai merr miratimin paraprak edhe të Prokurorit të Përgjithshëm.
Ministri i Brendshëm citoi disa nga pikat e projektit, i miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, duke argumentuar se janë të dakortësuara me opozitën.
“Drejtori i Byrosë emërohet dhe shkarkohet me miratimin paraprak dhe me shkrim të Prokurorit të Përgjithshëm dhe kështu çdo punonjës në Byronë Kombëtare të Hetimit. Byroja është shërbim i Policisë Gjyqësore. Veprimtaria proceduriale penale e Byrosë Kombëtare të Hetimit drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori. Prokurori është autoriteti përgjegjës vendimarrës në lidhje me vendimet e Byrosë Kombëtare të Hetimit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit në fuqi”, citoi ministri projektligjin në fjalë.
Sipas këtij drafti të dakordësuar, theksoi Tahiri, prokurorët kanë akses të plotë në të dhënat dhe informacionet që lidhen me çdo hetim të BKH-së dhe mbajnë marrëdhënie të përhershme me Byronë. Prokurorët e caktuar mund t’i sugjerojnë drejtorit të BKH-së trajnime dhe procedime disiplinore të nevojshme për punonjësit e kësaj strukture, tha ministri. Opozita, shtoi ai, të mos abuzojë me rekomandimet e Komisionit të Venecias.