Kreu i PD-së Sali Berisha i është përgjigjur për herë të parë Evi Kokalarit, e cila tha se gara në primare është e paracaktuar dhe e fitues do të jetë Belind Këlliçi.
Në një deklaratë për mediat Berisha tha se procesi i primareve bazohet në votimin e anëtarëve dhe simpatizantëve për të minimizuar ndikimet e njëanshme.
Ai theksoi se deri më tani ky proces ka ecur shumë mirë.
“Ky proces bazohet në votimin e anëtarëve dhe votimin e simpatiznatëve, për të minimizuar në një shkallë të caktuar ndikimet e njëanshme të tërësisë së anëtarëve, kandidatëve u janë dhënë formularë, e drejta për të tërhequr formularë. Në tërësi ky proces ka ecur shumë mirë, ka pasur raste sporadike që kanë thënë se ky është socialist. Mirë nuk është por edhe krejtësisht apriori nuk mund ta hedhësh poshtë”- tha Berisha.
Evi Kokalari u shpreh në një intervistë për Euronews Albania se ishte e pritshme që përzgjedhja e kandidatëve të PD përmes primareve të haste në vështirësi si një proces i zhvilluar për herë të parë.
Sipas saj, zbulimi i manipulimeve të Belind Këlliçit në Këshillin Kombëtar ishte një gjë për të cilën demokratët u ndërgjegjësuan dhe nuk ishin dakord që kjo të vazhdonte të ndodhte.
“Primaret dhe ndoshta është normale gjithë kjo zhurmë deri sa demokratët të gjejnë vetën në proces. Shumë demokratë i duan primaret se edhe PD dhe PS kanë ekzistuar sipas frymës së kryetarit. Ndaj është një gjë shumë e madhe dhe e mirë”, tha Kokalari.
/s.f