Gjykata e Kurbinit cakton masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ për Van Ricën, pavarëisht se prokuroria kishte kërkuar arrest me burg. Ai akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike” pasi qëlloi me armë zjarri pas konfliktit me nënkryetarin e degës së Rithemelimit Kastriot Marku.
Kërkesa për anëtarësime të reja të simpatizantëve me qëllim që të merrnin pjesë në votimet për kandidatët e primareve me 4 dhjetor u bë shkak i konfliktit.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës (28 nëntor) gjatë një takimi të kësaj force politike dhe sipas burimeve Van Rica i cili mbështeste kandidatin Edmond Shkoza kishte kërkuar anëtarësimin e disa simpatizantëve, por kjo është kundërshtuar nga nënkryetari i degës së Partisë Demokratike të Rithemelimit Kastriot Marku me pretendimin se kishte përfunduar afati i anëtarësimeve.
Në debat e sipër Van Rica ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në korridoret e zyrave të Partisë Demokratike dhe më pas është larguar, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. 53-vjeçari Rica rezulton të jetë punonjës i një policie private në Laç, çka shpjegon edhe pse ai dispononte një armë.
/s.f