Miliarderi amerikan i teknologjisë, Elon Musk, tha të mërkurën se pret që një çip truri me valë i zhvilluar nga kompania e tij Neuralink të fillojë testimet klinike tek njerëzit brenda gjashtë muajve, pasi kompania humbi afatet kohore të përcaktuara prej tij.
Neuralink po punon në ndërfaqet e çipave të trurit, të cilat kanë për qëllim të lejojnë pacientët me aftësi të kufizuara të lëvizin dhe të flasin përsëri.
Sipas Musk, risia synon gjithashtu rikthimin e vizionit. Ndërsa një sërë testesh janë kryer në kafshë në vitet e fundit, kompania ka nevojë për miratim nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA (FDA) për të filluar provat tek njerëzit.
“Ne duam të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të sigurt se do të funksionojë mirë përpara se të vendosim një pajisje te njeriu”, tha Musk gjatë një prezantimi në selinë e Neuralink.
Ai gjithashtu vuri në dukje shpejtësinë e përparimit të kompanisë në krijimin e pajisjes.
“Përparimi në fillim, veçanërisht kur zbatohet për njerëzit, do të duket ndoshta shumë i ngadalshëm, por ne po bëjmë të gjitha gjërat për ta sjellë atë në shkallë paralelisht, kështu që, në teori, përparimi duhet të jetë eksponencial”, tha Musk.
Sipas biznesmenit, dy aplikacionet e para njerëzore të operuara nga Neuralink do të jenë në rikthimin e shikimit dhe mundësimin e lëvizjes së muskujve.
“Edhe nëse dikush nuk ka pasur kurrë vizion, sikur të ketë lindur i verbër, ne besojmë se prapë mund ta rivendosim shikimin”, tha ai.
Neuralink, megjithatë, ka humbur në mënyrë të përsëritur afatet e shpallura nga Musk. Në vitin 2019 ai tha se miratimi rregullator duhet të merret deri në fund të vitit 2020. Dy vite më vonë ai ishte optimist për fillimin e provave njerëzore në 2022./m.j