Presidenti i Gjermanisë, Frank – Walter Steinmeier, në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, ka mbajtur një fjalim në Parlament, teksa është përqendruar kryesisht te rrugëtimi evropian i vendin tonë.
Së pari, ai shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë në kryeqytetin shqiptar, ndërsa nuk la pa përmendur edhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona në të gjitha fushat.
Qëndrimin tuaj proevropian kam mundur ta vëzhgoj. Tani gëzohem që mund të jem pranë jush dhe për mua është një nder i madh të flas në këtë Parlament.
Frank – Walter Steinmeier
Teksa ka komentuar hapjen e bisedimeve me BE, Presidenti gjerman u shpreh se 19 korriku ishte një gur kilometrazhi për Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe për këtë ai shprehu entuziazmin se sa shumë ndihet shpirti evropian në vendin tonë.
Steinmeier tha se, rruga drejt BE-së do të vijojë të jetë ambicioze, ndërsa u bëri thirrje palëve që të punojnë përtej llogoreve mes opozitës dhe qeverisë, e për këtë shprehu mbështetjen maksimale të Gjermanisë.
Unë e di që rruga juaj në BE do të vijojë të jetë ambicioze, ndaj punoni më tej në zbutjen e pengesave atje ku ndodhen, vijoni reformën në drejtësi, dhe punoni përtej llogoreve mes opozitës dhe qeverisë. E për këtë kini besimin se do të keni mbështetjen e Gjermanisë në këtë drejtim.
Frank – Walter Steinmeier
Presidenti gjerman vlerësoi rolin e Shqipërisë në pozicionimin e saj në krah të vlerave europiane.
Pozicionimi juaj në krah të vlerave tona më emocionoi. Ju mund të jeni model për shumë njerëz kudo në Europë, edhe në vendin tim. Edhe pse anëtarësimi në BE nuk është ende realitet, Shqipëria është provuar prej kohësh si demokraci e pjekur. Vendi juaj është sot një aktor i njohur në skenën ndërkombëtare dhe mbrojtës i rendit botëror, bazuar në rregulla.
Frank – Walter Steinmeier