NATO është gati të patrullojë detin Egje për të frenuar trafikun e qënieve njerëzore nga Turqia drejt Greqisë.
Deklarata është bërë nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, i cili i është përgjigjur kështu kërkesës së vendeve anëtare të Aleancës, Turqia, Gjermania dhe Greqia.
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s po takohen në Bruksel për të diskutuar mbi çështjen e refugjatëve, që ka shkaktuar përçarje të mëdha brenda BE-së.
“Planet do të hartohen nga autoritetet ushtarake të Aleancës. Ato do të shqyrtohen dhe mundësisht do të implementohen”, ka thënë zoti Carter.
Në një konferencë për shtyp, shefi i Pentagonit ka theksuar se, “goditja e grupeve kriminale që shfrytëzojnë këta njerëz të varfër do të ishte impakti humanitar më i madh”.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, rreth 75 mijë emigrantë dhe refugjatë kanë mbërritur tashmë në Greqi përmes detit që nga fillimi i vitit të ri.