Biznesmeni Nuredi Suli, i cili i shpëtoi për fat vdekjes nga eksplozivi i telekomanduar, këmbëngul se nuk ka asnjë armik përveç atyre të përfolur për vrasjen e vëllait të tij, katër vjet më parë. Në një intervistë telefonike me Shekullin Suli tregon se është përpjekur dikur për paqe me familjen që i vrau vëllain.
“Nuk kemi patur konflikt me asnjë person në jetën tonë. Rasti i parë në jetë ishte konflikti me vrasësit e vëllait tim. Unë s’mund të them se janë ata, pasi kjo i takon prokurorisë dhe policisë ta bëjë dhe duhet ta bëjnë në fakt, por unë di të them publikisht se ne nuk kemi një rast të vetëm sherri apo konflikti me ndonjë person tjetër përveçse kur ndodhi ajo që na ndodhi. Ata na vranë në derën e shtëpisë sonë”.
“… jo vetëm kam tentuar, por edhe jemi ulur. Kemi biseduar shtruar për atë çështje. Mendova dhe besova se gjithçka u zgjidh, pasi biseda u bë e qartë, por nuk ndodhi asgjë nga ato që u thanë. Pas disa muajsh, ndodhi ajo që ndodhi. Ata ma vranë vëllanë në punën e tij, në tokën e tij dhe në shtëpinë e tij. Ne i kemi denoncuar kërcënimet edhe gjatë seancave gjyqësore. Unë gjithashtu denoncova edhe korrupsionin në radhët e drejtësisë për këtë çështje. Megjithatë po pres dhe do të vijoj të pres që autoritetet kompetente të gjejnë autorët dhe t’i çojnë para drejtësisë”, thotë Suli për sherrin midis familjeve vite më parë.
Në komunikatën zyrtare për ngjarjen, policia e ka përmendur Nuredin Sulin si “person me precedentë penalë”. Biznesmeni thotë se nuk arrin ta kuptojë një etiektim të tillë.
“Unë nuk e kuptova e as nuk po arrij ta kuptoj sërish së çfarë është kjo historia e precedentit tim. Këta, nëse më gjejnë ndonjë proces hetimor ose gjyqësor në jetën time, ose të ndonjërit në familjen time, atëherë… Nuk po e besoj ende, pasi në fakt nuk e kam parë deklaratën e policisë, nëse është fiks kështu siç po flitet, por unë ju siguroj juve dhe të gjithë opinionin se kurrë s’kam qenë pjesë e ndonjë procesi në gjykatë. Por nëse kjo është e vërtet, do të ketë punë avokati edhe më këtë çështje. Por fillimisht kam tjetër hall. Të zgjidhet ky dhe do ta zgjidh edhe me policinë çështjen e precedentit tim. Nuk ka asnjë lloj problemi”.