3791 aplikime ka pasur në një muaj për projektin e paneleve diellore për ngrohjen e ujit në shtëpi.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, projekti i paneleve diellore po ecën me ritme të mira për të mbështetur kryesisht konsumatorët familjarë.
“Prej 1 nëntorit ka nisur aplikimi i qytetarëve për këtë skemë, kosto e cila do të subvencionohet në masën 70% nga Qeveria. Japim garancinë se do të vazhdojmë të mbështesim dhe të mbrojmë konsumatorin shqiptar në këtë situatë krize energjie globale”, tha Rama në një postim në rrjetet sociale, i cili ftoi qytetarët të aplikojnë në adresën http://eficenca.gov.al
Nga 1 nëntori qytetarët mund të aplikojnë për të përfituar subvencion në masën 70 % për instalimin e paneleve me ngrohje diellore. Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga klientët familjarë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të ngrohtë sanitar dhe reduktimin e emetimeve të CO2.
Kjo është thirrja e dytë për aplikim, e cila i drejtohet klientëve familjarë të interesuar për marrjen e shërbimit të instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit për deri në 2 mijë konsumatorë familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse.
/a.r