Presidenti i Republikës, Bajram Begaj në Ditën e Pavarësisë u ka bërë një apel partive politike, që të kontribuojnë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë, Begaj u shpreh se zgjedhjet e ardhshme vendore janë një mundësi bashkëpunimi.
“Zgjedhjet e ardhshme vendore janë mundësi për të demonstruar bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë politike e institucionale, për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Si Presidenti i Republikës, në interes të kombit dhe të ardhmes tonë ftoj aktorët politik dhe institucional, shoqëritë civile dhe mediat, cdo shqiptar që ti përkushtohemi vizionit për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, vendin e projektuar për të qenë anëtar i denjë i BE”, theksoi Presidenti.
“Rruga jonë për ndërtimin e shtetit funksional është rrugë pa kthim. Shqipëria është anëtare e NATO dhe vendi ynë përfaqësohet denjësisht në OKB. Shqipëria ka treguar se është mbështetëse e vlerave demokratike dhe derë hapur për miq dhe njerëz në nevojë.
Fillimi i negociatave për anëtarësim më BE është një arritje historike. Shqipëria do të mirëpresë liderët e BE në samitin BE-Ballkanin Perëndimor. Ky është një mesazh inkurajimi. Edhe pse të ndarë në disa shtete, faktori shqiptar ka qenë, është dhe do të jetë i bashkuara në destinacionin tonë të përbashkët që është BE.
Qytetarëve duhet dhënë siguri, që reforma në drejtësi ka dhënë besueshmëri. Brezat e rinj kanë nevoje të shohin perspektivë të qartë dhe të ndërtojnë të ardhmen këtu. Diaspora duhet të gëzojë të drejtën e votës”, u shpreh Begaj./m.j