Serxhio Cani, 23 vjeç, punonjës i Patrullës së Përgjithshme, dhe polici bashkiak Sajmir Muzikanti, 39 vjeç akuzohen se vidhnin të rinjtë të cilët konsumonin kanabis, në këmbim që të mos shoqëronin në komisariat.
“Sa herë që isha turni i tretë në punë merrja në telefon Serxhion dhe i thoja hajde dalim nga Liqeni. Për shkak të kredisë që kam detyrohesha t’u merrja paratë me zor qytetarëve. Këtë gjë e kam bërë në bashkëpunim me Serxhion”, ka dëshmuar ai.
Efektivi i Rendit, Serxhio Cani dhe polici bashkiak i Tiranës Sajmir Muzikanti, 39 vjeç u arrestuan pasi kishin shpërdoruar detyrën duke ndaluar të rinj që i kapnin me cigare hashashi në zonën e Liqenit artificial në Tiranë dhe i gjobisnin.
Efektivët u vinin prangat që të dukeshin sa më të besueshëm që po bënin detyrën, dhe u merrnin nga 20 deri në 50 mijë lekë, duke i lënë më tej të lirë në këmbim që mos t’i shoqëronin në komisariat. Dy efektivët ishin në vëzhgim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pas denoncimeve të ardhura nga qytetarët.
Mësohet se ndaj tyre ishin bërë 9 kallëzime, por vetëm 3 raste janë dokumentuar. Sakaq, kryepolici Muhamet Rrumbullaku ka nisur procedurat për përjashtimin nga Policia e Shtetit për efektivin e komisariatit numër 1, Serxhio Cani. Që kur është vendosur në krye të Policisë, Rrumbullaku deri më tani ka përjashtuar 13 efektivë.
/s.f