Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka mbajtur fjalën përshëndetëse në hapje të seancës së përbashkët parlamentare mes deputetëve të Shqipërisë dhe Kosovës.
Teksa përmendi disa prej sfidave që shqiptarët kaluan për të shkuar deri në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e një shteti demokratik, Nikolla tha se strategjia e përbashkët e vendimeve mes dy vendeve nuk i kundërvihej asnjë bashkësie tjetër në rajonin e Ballkanit.
“Në një sallë si kjo, tempulli i demokracisë, është vendi i duhur për të kujtuar ata që bënë Kongresin e Lushnjës, ata që luftuan kundër okupatorëve, sot është dita për të kujtuar martirët e burgjeve komuniste, qëndrimtarët, klerin. Po ashtu edhe studentët e dhjetorit të viteve ’90. Historia nuk është vetëm rrëfim por edhe një shkollë që na sjell idetë triumfuese prej të cilave duhet të marrim mësim. Mënyra e të menduarit e shqiptarëve duhet të ndryshojë në përputhje me realitetin e ri gjeostrategjik. Sfidat e Shqiptarëve në shekullin që kemi hyrë janë të përbashkëta. Sot Shqipëria ka hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në . Në 6 dhjetor Tirana do jetë kryeqyteti i Europës ku do të mblidhen krerët e 27 vendeve anëtare. Shtetet tona sa më shumë të koordinohen aq më shpejt përparon bashkësia shqiptare në Ballkan. Kjo vetëdije e një strategjie të përbashkët vendimesh, nuk i kundërvihet asnjë bashkësie tjetër në rajon. Në dekada kemi qenë të ndarë me mur por në qendër të vajeve tona kemi pasur në qendër njëri tjetrin. Do jemi dy entitete politike brenda BE. Të shndërrojmë kufijtë në kufij formal mes vete dhe me rajonin. Dy kuvendet tona duhet të japin kontributet e tyre në fushën e legjislacionit”- u shpreh Nikolla gjatë fjalës së saj.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, në fjalën e tij në seancën e përbashkët që po mbahet mes Kuvendeve të Kosovës e Shqipërisë me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë ‘
“Jemi me ju dhe ju kemi në zemër. 28 nëntori mban në zemër ëndrrat tona kolektive dhe dashurinë e madhe për kombin. Kjo ditë ka simbolikën e vet për të mbajtur gjallë emocionet, krenarinë, gatishmërinë tonë. 28 nëntori është i Shqipërisë aq sa është i Kosovës. Kur ishim të shtypur e jetonim nën terrorin jugosllav, popullin tonë e mbajti gjallë dashuria për tokën, kombin re gjuhën shqipe.
Rruga ishte e gjatë dhe aspak e lehtë. Dy ngjarje kanë qenë të rëndësishme, ardhja e demokracisë në Shqipëri dhe çlirimi i Kosovës pak vite më vonë.
Ne shqiptarëve historia na ka mësuar se aq sa duhet të festojmë duhet të reflektojmë. Bota sot është më pak e sigurt se dje si fakt i luftës në Ukrainë. I vetmi shtet i lidhur me Rusinë është Serbia, na lufton nga brenda e jashtë. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria e Kosova aq më lehtë mund të mbrojmë interesat e kombit tonë. Rrnoftë dita e flamurit. Rrnoftë kombi shqiptar”, përfundoi Konjufca.