Nga Artur Ajazi
Ka patur pushtet, ka edhe patur mundësira pa fund të ishte dhe të mbetej në histori, si i pari politikan që ka nisur me demek “proceset demokratizuese të vendit”. Por ai i ka shkelmuar, i ka injoruar, i joshur nga deliri i pushtetit, madhështisë,l nga deliri i “liderit të madhërishëm”. Ka patur pushtetin për afro 2 dekada, dhe ka shkaktuar dhimbje, afera të ndyra, ka shkaktuar katastrofa humanitare, mjedisore, financiare. Ai e ka humbur shansin, dhe kurrë nuk do të hyjë në histori. Ndoshta si emri dhe figura më e dyshimtë e politikës shqiptare, po. Në historinë e këtij vendi, do të mbeten ata që kontribuan dhe dhanë gjithçka kishin nga vetja dhe formimi i tyre arsimoro-kulturor, për politikën progresiste.
Nuk ka rast më të goditur se 6 Dhjetori, për ta nxjerrë jashtë çdo libri njerëzor njeriun që kërkon destabilizimin, që kërkon të njollosë fatet dhe imazhin e vendit tij. Ai kurrë nuk do të kujtohet si “pionieri i demokracisë shqiptare”, siç e damkosin disa emra të mirëpaguar, pasi ai me vepra ka treguar se, nuk është i qetë kur ka rend, qetësi, nuk ndjehet mirë kur shikon se si shqiptarët ecin, punojnë, zhvillohetn, apo kur vendi respektohet nga liderët e Europës. Synimi i tij, ka qenë dhe mbetet “Shqipëria përgjithmonë e trazuar”, synimi i tij ka qenë dhe mbetet “parlamenti të mos ketë kurrë qetësi”, plani i tij ka qenë dhe mbetet “zgjedhjet nuk do ti njoh kurrë si humbës, por si fitues”.
Ndaj dhe akuzon, fyen, shan, denoncon pa fakte, edhe pse institucionet e shtetit e kanë nxjerrë gjithmonë bllof. Të merresh me politikë, nuk është mision i thjeshtë, as një dëshirë që lind spontanisht. Të merresh me politikë, do të thotë të jesh njerëzor, tolerant, bashkëpunues, të jesh i qytetëruar, dhe të përballesh me sfidat e karrierës tënde. Ai nuk ka qenë asnjëherë i tillë, ndaj kërkon që edhe pas 32 vitesh (ku ç’nuk ka bërë) të jetë në qendër të vëmëndjes me zullumet e tij.
Shqiptarët nuk janë më “dele”, dhe e kanë vendosur ç’do të bëjnë me votën e tyre. Shqiptarët duan të jetojnë në qetësi, duan zhvillimin e vendit, shëndoshjen e familjes, duan të jenë dinjitozë para Europës. Shqiptarët nuk duan më të etiketohen si “njerëzit që vijnë nga vendi i rrëmujave dhe trazirave politike”. Ndaj, ai kurrë më nuk ka shanse, të hyjë më në histori. Thjesht do të mbetet një emblemë e të keqes…