Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, priti mbrëmjen e sotme në një takim në MPJ, ministrin Federal për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz.
Ministri Bushati dhe ministri Kurz pas takimit në MPJ dolën në një deklaratë për mediat ku theksuan se në fokus të takimit ishte integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ministri Bushati në fjalën e tij tha se “Diskutuam për reformat shtetndërtuese, sidomos për atë madhore në drejtësi. Austria ka një qëndrim të qartë sa i takon integrimit të Ballkanit në BE. Ramë dakord edhe për një dokument të përbashkët pune, ku nuk përfitojnë vetëm institucionet, por edhe persona nga bota akademike po punojmë për konferencën e ardhshme në Vjenë”
Ndërsa ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, shprehu mbështetjen e Austrisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Miratimi i reformës në drejtësi do afrojë Shqipërinë dhe do ta bëjë më tërheqëse për investime si dhe mirëpresim përforcimin e bashkëveprimit me Shqipërinë për sfidat aktuale, mes të cilave ajo e klandestinëve”, tha ministri austriak Sebastian Kurz.