Federata e Futbollit e Kosovës i ka paraqitur sot një ankesë FIFA-s për atë që e ka cilësuar si “veprim agresiv i ekipit kombëtar të Serbisë”, i cili në ndeshjen kundër Brazilit, në Katar 2022 ka vazhduar me retorikën shoviniste ndaj Republikës së Kosovës.
Para kësaj ndeshjeje, në mjediset e zhveshjes se kombëtares së Serbisë është vendosur një flamur, ku shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb, me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi deklaroi se flamuri është vendosur nga vetë lojtarët dhe bëhet fjalë për një provokim politik.
“Ajo pjesë është ekskluzive e futbollistëve dhe nuk besoj se ka mundur dikush që ta vërë atë parullë, i jashtëm përveçse njerëzit e tyre,” – u shpreh Ademi.
Ai kujtoi rastin kur në ndeshjet mes Serbisë dhe Zvicrës, Xhaka dhe Shaqiri kanë bërë shqiponjën me duar dhe janë penalizuar, duke nënkuptuar kështu se e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe kësaj here.
/s.f