Nga Ermir Gjinishi
Në pritje të lajmit, të gjithë i kthyem sytë nga Brukseli këto ditë. Nuk ndodhi. Në të tilla “vaki” zakonisht njerëzit rreken së kërkuari arsye dhe nxitojnë së gjeturi justifikime, brenda dhe jashtë vetes. Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë, thonte Napoleoni dikur. Them dikur, se sot përgjithësisht ngrënia e fjalëve nuk ia prish apetitin shumëkujt. Sigurisht, ndonjë makiavelist endemik ethshëm do nxitojë të thotë se politika nuk është moral, por nuk mund ta mohojë se morali ka aftësi të mëkojë çdo endemi politike. Ndonjë marksisti i ka ardhur dita të na kujtojë me krekosje se politika përbëhet nga dy fjalë, “poli” (greqisht) do të thotë shumë, dhe “tik” një lloj insekti gjakpirës. Në një rast si ky i yni, përgjigjet e irrituara për të hipotekuar lavdinë intuitative, janë më të dëmshme se çdo dështim. Lavdia është helm që duhet marrë me doza të vogla thotë Balzaku.
Rrokupuja e shfryrjeve nga habia apo zhgënimi, nuk është e duhura në të tilla momente. Por disa gjëra vlen të thuhen ashtu siç janë. I nisur në vitin 2012, procesi i dialogut për liberalizimin e vizave mori dritën jeshile nga Komisioni Europian në maj të vitit 2016, dhe në korrik të vitit 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Nga ana e tij, Parlamenti Evropian vazhdimisht ka konfirmuar mbështetjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Megjithatë, pas 4 vitesh qytetarët e Kosovës janë në të njejtën situatë. Shtyrja e liberalizimit të vizave, do të ketë ndikim negativ në vlerësimin e korrektësisë dhe kredibilitetit të BE-së, jo vetëm për opinionin shqiptar. Nuk mund të ketë dëm më të madh ndaj një shoqërie sesa të përdorësh kriter-ligjin si kamxhik që mbush me hematoma perspektivën aspirante të saj.
Kosova mbeti i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që akoma nuk e ka prekur liberalizimin e vizave me BE-në. Kosovarët, qytetarë të një vendi europian, e kanë të pamundur të lëvizin pa viza në Europën e tyre. Ironikisht, vendet anëtare të BE-së e kanë më të lehtë ta ngrenë traun e vizave për Kolumbinë bie fjala, sesa për Kosovën. Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti Europian, meriton vlerësime maksimale për pohimet mbështetëse, bashkë me kujtesën se një sistem politik i suksesshmëm triumfon sepse ka një pakicë të bashkuar në vlera, kundër një shumice të ndarë në interesa.
Është rasti të rilexojmë saktë, sinqerisht dhe pa ekuivok realitetin e krijuar, për të parë çfarë nuk shkon dhe si duhet ndrequr. Kosova ka vite që i ka përmbushur kushtet teknike, prandaj jemi përballë një vendimi politik, jo teknik. Zhgënjimi më i madh është insistimi për ta “justifikuar” atë me qëndrimin e Spanjës. Spanja e komisionerit Borel, anëtare e hershme e NATO-s dhe BE-së, është një nga 5 vendet e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por, kontigjenti ushtarak spanjoll në KFOR është prezent në Kosovë që prej vitit 1999. Ajo e njeh kontekstin e brendshëm të Kosovës dhe nuk ndikohet nga Serbia. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, pak kohë më parë deklaroi se vendi i tij ishte i hapur për miratimin e liberalizimit të vizave. Spanja nuk ka arsye të bllokonte liberalizimin e vizave.
Ky është një sinjal i dyfishtë që vjen nga Franca dhe Gjermania, të dyja me qeverisje të majtë, të cilat ushtrojnë presion për asosacionin, pika kyçe e planit franko-gjerman. Duke ja lënë Spanjës refuzimin, Franca dhe Gjermania i çojnë qeverisë Kurti mesazhin se pa zgjidhur problemet politike me Serbinë, të dy vendet nuk do kenë hapa të mëtejshëm në BE. Në kushtet e reja gjeopolitike, nëpërmjet Spanjës dhe disa vendeve të tjera skeptike pa qëndrim zyrtar, Serbisë i dërgohet indirekt mesazhi se mjafton të mos afrohesh me Rusinë, dhe ne jemi në gjendje të tolerojmë qëndrimin tënd ndaj Kosovës. Kjo është pika më nevralgjike që e mban kolateral perspektivën e Kosovës, në këmbim të joshjes serbe.
Qëndrimi heshtës apo refuzues i disa vendeve të BE-së, me kriza të brendëshme politike dhe ekonomike, vjen edhe për shkak të eksperiencave të mëparshme të liberalizimit të vizave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ato realisht rezultuan problematike nga numri i madh i të rinjve që lanë vendet e tyre dhe migruan drejt BE-së, kryesisht në Gjermani, Itali, vendet nordike dhe së fundmi kaosi në La Mansh. Kjo retrospektivë rrit shqetësimin euroskeptik për frenimin e zgjerimit të mëtejshëm. Ekziston një bindje në disa vende të BE-së, se nëse realizohet qarkullimi i lirë, një numër i madh i qytetarëve të Kosovës do emigrojë drejt BE, gjë që do rriste shqetësimin për emigracionin brenda unionit. Mjaf të shohim përplasjen e fortë politike mes Melonit dhe Makronit ditët e fundit për çështjen e emigrantëve. Pritet që dimri problematik, kriza energjitike, ajo e drithërave apo emigracioni, do ta rrisin dozën e skepticizmit brenda BE-së.
Prandaj procesi i zgjerimit dhe qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor ka nevojë për sinjale të qarta e të besueshme, të cilat mbi të gjitha shprehin solidaritetin politik të unionit. Përndryshe, do të ishte vërtetë ironike që pas kaq shumë kohësh BE ta ketë të pamundur ti ikë aforizmës degoliane “Nuk ka lider europian që ta bashkojë Europën. Europa do të bashkohet nga kinezët”.
Politikisht, shtyrja e liberalizimit mund të interpretohet edhe si ndëshkim i disa vendeve të BE-së për qëndrimin refraktar të Kosovës ndaj Open Ballkan. Ky është rasti kur polemikat refuzuese në nivele lokale marrin peshë rajonale, për shkak të qëndrimeve të përsëritura kundërshtuese dhe përjashtuese mes paleve, pa ofruar një zgjidhje të pranueshme. Në mungesë të besueshmërisë për një marrëveshje të drejtë, e cila realisht kushtëzohet nga faktorë krejtësisht të tjerë, analogjia mes lokales dhe rajonales, mbetet shëmbëlltyra më e dobët e këtij e arsyetimi.
Kemi nevojë për një diplomaci të zhdërvjelltë, pa komplekse. Qeveria e Kosovës, në këtë pozitë të vështirë, duhet të jetë e kujdesshme në hapat diplomatike dhe politike me Serbinë, duke mos i trajtuar vendet e BE si aktore të dorës së dytë dhe se prioritetin politik e kanë vetëm SHBA-të. Më troç, nuk është nevoja t’i kujtojmë Brukselit në çdo moment aleatin tonë të vërtetë strategjik, SHBA-të. Ndjenja e xhelozise apo e inferioritetit të BE-së ndaj SHBA-ve, nuk ka pse të ushqehet me sinqeritetin e aleancave tona strategjike. Ajo ka ditur të ekzistojë edhe pa ne.
Qeveria e Kosovës të mos mjaftohet vetëm me qëndrimet e Komisionit Europian ku aktualisht ekziston një përplasje e fortë mes burrokratëve të Brukselit dhe vendeve anëtare. Tek e fundit vendet anëtare janë vendimmarrëse, jo Komisioni. Diplomacia direkte me vendet anëtare është një dobësi e cila kërkon reagim të menjëhershëm. Ne nuk e kemi as luksin, as forcën, t’i japim leksione optimizmi burrokratëve në Bruksel.
Në mesin e kësaj krize të madhe, jo për shkak të Kosovës, ky ishte një lajm tjetër i keq që merr Kosova. Ai paralajmëron kohë të vështira dhe vendimmarrje akoma më të vështira. Qartësia dhe vlerësimi racional i faktorëve ndërveprues, shoqëruar me strategji diplomatike efikase direkte ndaj vendeve skeptike, i mbështetur nga shtetet mike aleate, do të ishte qasja e duhur për të balancuar firot e një procesi me shumë turbulenca interesash.