Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç po takohen në Bruksel, me ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për bisedimet ndërmjet të dy vendeve, Miroslav Lajçak, në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje lidhur me targat e makinave, që ka shtuar shqetësimet për tensione të reja në veriun e Kosovës.
“Shpresoj sinqerisht se do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje sot për të ulur tensionet në terren dhe për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi zoti Lajçak.
Të enjten skadon një shtyrje 48 orëshe e vendimit të qeverisë së Kosovës për gjobitjen e atyre që nuk i kanë ndërruar targat e makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.
Shtyrja u bë me kërkesën amerikane për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, zëdhënësi i të cilit Peter Stano tha se synim i takimit të sotëm është gjetja e një rrugëdaljeje në frymën evropiane nga situata aktuale.
“Bashkimi Evropian përsërit dhe kujton se presim sjellje evropiane nga të dyja palët për të gjetur zgjidhje dhe rrugëdalje evropiane nga kjo situatë aktuale që është një situatë e krizës, kriza më e keqe që kemi parë në vite në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
Takimi i kryenegociatorëve pason atë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç të hënën në Bruksel që nuk solli asnjë përparim.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kritikoi sot sërish shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell për siç tha, ndryshim të agjendës dhe largimin nga tryeza e diskutimeve të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke ju përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për “Propozimin e Bashkimit Evropian”, por për targat”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se vendimi për targat është i qeverisë dhe si i tillë nuk mund të jetë objekt i negocimit. Ai tha se është i gatshëm për takime në Bruksel por që për temë kanë marrëveshjen përfundimtare.
“Takimi i nivelit të lartë duhet të jetë për qëllime të larta dhe unë natyrisht që pres se kjo do të vazhdojë. Sot në Bruksel ndodhet zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Dialog dhe Zhvillim, Besnik Bislimi. Mbase do të ketë edhe një takim në përpjekje, që brenda këtyre 48 orëve të arrihet dakordimi. Ne e kemi edhe vullnetin edhe qëllimin e mirë dhe gatishmërinë e vazhdueshme”, tha ai.
Me 1 nëntor qeveria e Kosovës filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e afatit. Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill tha sot se shtyrja duhet të ndodhë për një vit për të hapur mundësinë e zgjidhjes së çështjeve më të rëndësishme ndërmjet palëve.
Punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase me 4 nëntor ndërsa sot protestuan në disa zona kundër vendimeve të qeverisë qendrore në Prishtinë./ Marrë nga VOA