Portat e Rezevuarit të Digës “Ura e Fanit” me vendndodhje pranë fshatit Qafmollë, Mirditë, do të hapen gjatë ditës së sotme për të bërë të mundur shkarkimin e ujërave.
Lajmin e bën të ditur “AYEN AS ENERGJI” SHA përmes një njoftimi, ku thuhet se kjo do të bëhet për shkak të arritjes së kuotës maksimale të nivelit të ujit.
Gjithashtu u bëhet thirrje banorëve të zonës që të qëndrojnë vigjilent në çdo moment për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm.
Njoftimi i Plotë:
Nisur nga njoftimi “AYEN AS ENERGJI” SHA, ju informojmë se:
-Për shkak të arritjes së kuotës maksimale të nivelit të ujit, sot me datë 23.11.2022, duke filluar nga ora 16:00 do të hapen Portat e Rezevuarit të Digës “Ura e Fanit” me vendndodhje pranë fshatit Qafmollë, Mirditë.
Shkarkimet e mundshme të ujit nga Rezervuari i Digës “Ura e Fanit” do të ndikojnë tek pjesa e shtratit të lumit Fan i Madh, nga zona poshtë Digës afër fshatit Qafmollë, deri poshtë fshatit Fang Rubik, aty ku lumi Fan bashkohet me lumin Mat.
Nga shoqëria “AYEN AS ENERGY” do të lëshohet edhe një alarm akustik 30 minuta përpara lëshimit të ujit, i cili do të përsëritet vazhdimisht në mënyrë periodike përgjatë gjithë kohës së lëshimit të ujit.
Kërkojmë nga ana juaj si qytetarë, bashkëpunim dhe mirëkuptim duke u treguar të kujdesshëm dhe vigjilentë.
/e.d