Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se kandidatët e Ilir Metës për zgjedhjet e 14 majit janë miniaturë e tij. Në një intervistë për Report Tv, Veliaj nuk kurseu komentin për kreun e PL teksa deklaroi se është i pirë shumicën e kohës.
“Po dëgjoja sot kandidatët e Ilir Metës, janë miniaturë atij. Një njeri që ka hapur modën e miksimit të rakisë me verë, një njeri që është i pirë shumicën e kohës dhe ka qenë president i republikës. Një njeri që është bërë gazi i botës, sigurisht që thërret te vetja të ngjashmit e tij. Kështu që edhe ai kërkon të çmendurit e rinj. Një zonjë sot, mendoja që ishte me mend në kokë tha – “Është rritur çmimi i ujit 75%”.
Qartazi këta, Partia e Lekut ka aq shumë para sa këta s’e kanë parë ndonjëherë faturën. Se kush sheh faturën do e kishte vënë re që është rritur kjo dhe si është rritur pa kaluar në këshillin bashkia dhe pa e ditur kryetari i bashkisë. Por qartazi Partia e Lekut nuk i sheh fare faturat.
Për ta nuk e dinë fare as sa janë çmimet, as nuk e dinë faktin që uji në Tiranë është më i lirë sesa uji në Kamëz, është sa gjysma e ujit në Pogradec dhe në Korçë. Dhe një nga arsyet përse po humbin në mënyrë sistematike dhe përse ajo parti po përgjysmohet në çdo palë zgjedhje, është se nuk kanë lidhje me realitetin”, tha Veliaj.