Nga Eduard Zaloshnja
Ndër garat primare që do të zhvillojë PD-ja më 4 dhjetor, gara e Tiranës duket më interesantia, ngaqë janë futur në të plot 7 kandidatë (në Elbasan është vetëm Luçiano Boçi, në Shkodër vetëm Bardh Spahia, në Durrës është praktikish e sigurtë që do fitojë Igli Cara, në Korçë, Ledina Alolli, e kështu me rradhë).
Gara në Tiranë do të jetë e fortë, sepse 5 kandidatë janë të njohur gjerësisht në publik (për arsye politike, mediatike apo protestore). Sidoqoftë, dy politikanë karriere në këtë garë (Këlliçi e Bogdani), e fillojnë atë me një epërsi paraprake, për vetë mënyrën e organizimit të primareve të 4 dhjetorit.
Sipas rregullave të publikuara për primaret e PD-së, në listat e votuesve të primareve do të jenë antarë dhe simpatizantë të seksioneve të ndryshme të PD-së nëpër territorin e bashkisë. Kryesia e çdo seksioni do ta hartojë listën e seksionit të vet me anëtarë dhe voues të rregullt të PD-së rreth tyre. Pra, nuk bëhet fjalë për një listë krejt të hapur për çdo qytetar që don të votojë në primare (sepse ashtu mund të hapet rruga për abuzim nga socialistë të kamufluar si simpatizantë të opozitës).
Në kushtet kur listat e votuesve të primareve janë nën kontrollin e kryetarëve të seksioneve të PD-së nëpër territor të bashkisë, kandidatët me karrierë të gjatë politike kanë epërsi paraprake, ngaqë ata kanë vite që punojnë në terren me kryetarët e seksioneve… Dhe kuptohet që Këlliçi ka epërsinë më të madhe në këtë drejtim, sepse Bogdani ka disa vite që është shkëputur nga puna në terren me seksionet e PD-së.
Duke presupozuar se Këlliçi do t’i fitojë primaret e PD-së në Tiranë (drejtpërdrejt me mbi 50% apo në balotazh me Alimehmetin), pyetja që mbetet është sa konkurues do të jetë ai përballë Veliajt më 14 maj. Sepse më 14 maj nuk mjafton vetëm përkrahja e seksioneve të PD-së…
Në zgjedhjet e vjetshme parlamentare, në territorin e Bashkisë Tiranë votuan plot 380 mijë zgjedhës. Ca prej tyre u ngatërruan me ato fletët e votimit të ndërlikuara si fjalëkryq (dhe u rezultuan fletët të pavlefshme), por statistikisht mund të abstragohet se vota të pavlefshme kanë dalë përpjesshmërisht në të dyja krahët në Tiranë.
Meqë votat e vlefshme vjet në territorin e bashkisë Tiranë u ndanë 52.8% për PS+PSD dhe 47.2% për partitë e ndryshme opozitare, mund të llogaritet që rreth 200 mijë tiranas kanë votuar vjet për mazhorancën dhe rreth 180 mijë për opozitën. Por kandidatët e majtë për kryebashkiakë të Tiranës kanë treguar në 22 vitet e fundit se marrin pothuaj po aq vota sa ka marrë koalicioni i tyre në zgjedhjet parlamentare paraardhëse. E kundërta nuk ka qenë gjithmonë e vërtetë…
Dhe kandidati i djathtë kësaj rradhe (me shumë gjasa Këlliçi) do ta ketë edhe më të vështirë se më parë. Sepse ka gjasa të mëdha që PD-ja të futet e përçarë në garën e 14 majit. Do të duhen përpjekje titanike prej Këlliçit që të tërheqë drejt tij të gjithë ata që votuan vjet për partitë opozitare në territorin e Bashkisë Tiranë – dhe mundësisht të tërheqë edhe disa mijëra të tjerë…