Dita e katërt e Kupës së Botës në Katar u hap me sfidën fillestare të grupit F, që përballi Marokun dhe Kroacinë në stadiumin “Al Bayt”, objekt që tashmë ka pritur ndeshjen inauguruese të kompeticionit të dielën e kaluar. Luftë e fortë sportive, me dëshirë të madhe për sukses nga të dyja palët, por portat respektive mbetën të paarritshme.
Kjo edhe për meritë të portierëve, në lartësinë e duhur. Ritmi i lojës ishte i lartë, me sulme në të dyja portat. Sidomos në mesfushë ka dyluftime të ashpra, me lojtarët më të angazhuar për të prishur manovrën e kundërshtarit. Modric dhe Perisic ishin mjaft kërkues në radhët e ballkanasve, e shënjestruan disa herë portën e marokenëve.
Te këta të fundit peshën e lojës e kishin Hakimi dhe Ziyech, që u munduan të zhbllokonin sfidën. Kroacia, plot talent, e filloi kësisoji Botërorin e katarit me barazim pa gola, por me barrën dhe nderin e të qenit skuadra nënkampione në fuqi e botës.
Asnjë precedent në Kupën e Botës mes Marokut dhe Kroacisë, të cilët janë përballur vetëm një herë në histori: ishte 11 dhjetor 1996 dhe në “Casablanca”, në gjysmëfinalen e trofeut “Hassan II”, sllavët fituan me penallti 7-6 pas barazimit 2-2 gjatë kohës së rregullt. Ajo ndeshje mbahet mend edhe për tre kartonë të kuq.
Kronika e lojës:
6’ – Këndorja e parë e ndeshjes është për Kroacinë. Topi harkohet në zonën e portës afrikane, ku Modric mundohet të godasë fluturimthi, por pa shënjestrën e duhur.
10′ – Kroacia dominon posedimin e topit, Maroku megjithatë tenton të vjedhë “sferën” për të dalë shpejt dhe befasishëm në kundërsulm.
13’ – Maroku i rrezikshëm. Diagonalja e Hakimi devijohet nga një mbrojtës kroat, pastaj topin e bllokon në tokë portieri Livakovic.
17’ – Blic ofensiv i Perisic, pas gabimit në fazën e hapjes së aksionit të Marokut. Kroati gjuan me të majtën nga jashtë, pak lart mbi traversën e Bounou.
21’ – Mundësi e mirë për skuadrën afrikane. Goditja e dënimit, ekzekutuar nga Ziyech, përfundon në barrierën kroate.
28’ – Frymëzimi vjen nga Kovacic, i cili kroson në qendër të zonës marokene. Portieri Bounou del me një shtrëngim të sigurt të topit në ajër, duke evituar rrezikun.
35’ – Ndeshje e ekuilibruar deri tani. Pas dominimit territorial fillestar të Kroacisë, Maroku ka ngritur qendrën e gravitetit. Megjithatë, nuk ka shanse reale për shënim.
43’ – Sulmuesi kroat Vlasic ndalon për shkak të një problemi muskulor. Lojtari i Torinos largohet nga fusha dhe më pas rikthehet, në përpjekje për të përfituar nga pushimi mes dy pjesëve për të vlerësuar më mirë çdo dëmtim.
Luka Modric (Kroaci) trondit portën marokene në 45+2′
45-46′- Perisic dhe Modric “bombadojnë” portën marokene me dy goditje radhazi, E para pritet nga portieri maroken, ndërsa e dyta shkon pak mbi tra…
Nikola Vlasic (Kroaci) ka shansin e madh për të zhbllokuar rezultatin në 45′
51’ – Goditja me kokë e Mazraoui nga disa hapa larg, e pritur për mrekulli nga Livakovic. Numri 3 i Marokut mbetet në tokë për shkak të një goditjeje në ijë nga kundërshtari.
Noussair Mazraoui (Marok) ka shansin ideal për gol ndaj kroatëve në 51′
53’ – Skuadra e Dalic përgjigjet me një goditje këndi. Portieri Bounou është shumë i mirë përballë goditjes së Perisic.
60’ – Mazraoui nuk ia doli, pasi dëmtoi ijën me rastin e tentativës me kokë. Numri 3 i Marokut zëvendësohet nga Attiat-Allah.
Shansi i madh i Achraf Hakimi (Marok) për t’i kaluar të tijtë në epërsi në 65′
65’ – Goditje e lirë e Ziyech, topi gjen Hakimin. Anësori i PSG-së gjuan fort, por Livakovic reagon me grushtet shtrënguar.
80’ – Goditje e lirë e Modric, nga e djathta, Gvardiol gjuan me kokë dhe topi kalon jashtë. Numri 20 i Kroacisë kryen gjithashtu një faull ndaj një mbrojtësi kundërshtar.
90′ – Ngrihet tabela e zezë e gjyqtarit të katërt, akordohen 6 minuta shtesë. Edhe pas luajtjes së tyre, rezultati i fillimit të ndeshjes ndërmjet Marokut dhe Kroacisë mbetet i pandryshuar, 0-0.
/telesport/ a.r