Familjarët e Klisman Nikollit, efektivit 27-vjeçar të policisë, tashmë të përjashtuar nga radhët e uniformave mohojnë lajmet e mediave italiane për arrestimin e tij në Itali për vjedhje.
Nëna e 27-vjeçarit Gjelina Nikolli deklaroi për “BalkanWeb” se ai ndodhet në Gjermani dhe nuk ka asnjë lidhje me atë që shkruajnë mediat italiane.
“Ne jemi familje dëshmori. Janë të gjitha gënjeshtra, shpifje e intriga të keqdashësve të familjes Nikolli”, deklaroi ajo. Sipas nënës, komunikimi i fundit me të birin është i ditës së djeshme. “Dje kam folur me djalin, më tha që ndodhet në Gjermani te nipi”, tha ajo.
Ndërkohë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku firmosi sot përjashtimin e tij nga policia.
Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me homologët, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve dhe të paligjshmërive në përgjithësi, ka marrë njoftim se shtetasi Klisman Nikolli, 27 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Postën e Policisë Shëngjin, në Komisariatin e Policisë Lezhë, ishte arrestuar nga organet ligjzbatuese italiane, për veprën penale “Vjedhja”.
Sipas policisë, Nikolli, konform procedurave ligjore, ka marrë leje pa të drejtë page, nga data 01.11.2022 deri më datë 31.12.2022. Kjo leje i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore.
Lidhur me pranimin e tij në Policinë e Shtetit, zyrtarisht policia deklaron se pranimi i tij në Akademinë e Sigurisë, është bërë konform procedurave ligjore dhe se 27-vjeçari është djali i një dëshmori të Policisë.
/e.d