Partia Demokratike me në krye Sali Berishën dhe pjesa tjetër me në krye Enkelejd Alibeajn kanë depozituar disa ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese dy padi të ndryshme, me objekt të njëjtë: Heqjen e mandatit parlamentar të deputetes Olta Xhaçka. Sipas tyre, ministrja e Jashtme dhe deputetja Olta Xhaçka gëzon njëkohësisht edhe statusin e partnerit strategjik për një investim në Himarë me vlerë 5.5 mln euro. Dy PD-të mendojnë se shpallja e kompanisë së bashkëshortit të Xhaçkës ‘investitor strategjik’, bie ndesh me nenin 7 të Kushtetutës që i ndalon deputetët që të përfitojnë fonde publike apo të përfitojnë pronë publike.
Por, me kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Partia Demokratike është para një prove të fortë në raport me moralitetin politik dhe interesin publik. Një kompani e krijuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Fatjon Veizaj, i cili e ka kaluar formalisht në emrin e nipit të tij Evis Latifaj, është pjesë e një shoqërie private që ka fituar statusin e “investitorit strategjik” nga qeveria, për ndërtimin e një kompleksi turistik me vlerë 210 milionë euro në Gjirin e Lalzit.
Bëhet fjalë për kompaninë “Omnix Albania”, e cila në 18 korrik 2022 ka fituar me vendim qeveria statusin e investitorit strategjik. Kompania është në pronësi të Jamal Abdulsalam Mabuissa me 33 përqind, “Matriks Konstruksion” në pronësi të Alban Leskajt me 35 përqind; “Klar” në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Beshiri me 20 përqind dhe “RDA Petrol” në pronësi të Kujtim Kale dhe Evis Latifaj me 15 përqind.
Kompania “RDA Petrol” është themeluar në vitin 2013 nga deputeti i Partisë Demokratike, Fatjon Veizaj dhe Dorian Kale. Tre ditë para se të kompania të fitonte statusin e ‘investitorit strategjik’, deputeti i PD-së ia ka kaluar 50 % të aksioneve nipit të tij Evis Latifajt për rreth 500 mijë euro.
Evis Latifaj është një personazh pa ndonjë historik biznesi, për të justifikuar kapacitetin financiar për t’i shlyer deputetit të PD-së 500 mijë euro, gjatë tre viteve pas nënshkrimit të kontratës. Ky fakt krijon dyshime të forta për shitje formale të aksioneve dhe se përfitues real i një sipërfaqe prej 92 mijë m2 në pronësi të shtetit dhe 81 mijë m2 plazh. Deputeti i PD-së Fatjon Veizaj duket se ka përdorur Evis Latifaj si manovër ligjore, për të evituar pasojat që mund t’i vinin si përfitues i drejtpërdrejtë i pasurisë publike duke qenë deputet.
Rasti konkret është një gurë prove për dy Partitë Demokratike, me në krye Berishën dhe Alibeajt. A do të kërkojnë Berisha dhe Alibeaj heqjen e mandatit të deputetit për Fatjon Veizajn si përfitues i dyshuar real i pasurisë publike? Nëse Fatjon Veizaj formalisht mund ta mbrojë mandatin e tij, a do ta përjashtojnë Berisha dhe Alibeaj nga partia si përfitues real i pasurisë publike, përmes nipit, duke qenë deputet?/ Adriatik Doçi-shqiptarja.com/m.j