Shteti i Alabamës në SHBA ka deklaruar se do të ndërpresë për momentin ekzekutimin e dënimit me vdekje. Vendimi, i zyrtarizuar nga guvernatorja Kay Ivey, nuk vjen si një rivlerësim moral i këtij lloji ekstrem dënimi, ku Shtetet e Bashkuara përbëjnë një nga vendet e pakta në botë që ende e përfshijnë në kodin e tyre penal.
Arsyeja e vërtetë vjen nga fakti që metoda e përdorur, të paktën në këtë shtet, nuk po jep rezultate. Të dënuarit nuk po vdesin, ose kur kjo ndodh vjen si rezultat e disa orëve dhe tentativave të ndryshme që e shndërrojnë ekzekutimin në një lloj torture mesjetare.
Si në rastin e Alan Eugene Miller, i cili pas dështimit të ekzekutimit të tij në shtator ka rrëfyer që stafi i burgut nuk arriti t’i gjej venën, aq sa e mbushi me gjilpëra me orë të tëra, duke e detyruar edhe të rrinte vertikalisht në krevatin “e vdekjes”, në mënyrë që injeksioni të bënte efekt, por më kot.
Nuk është hera e parë që ndodh, madje eshte rasti i dytë në dy muajt e fundit, dhe i treti nga viti 2018. Atë vit, i dënuari Doyle Hamm pati të njëjtin problem, edhe pse ndërroi jetë në burg në rrethana zyrtarisht natyrore.
Guvernatorja Ivey deklaroi se i gjithë procesi, nga zgjedhja e personelit, tipi i helmit i përdorur dhe metodologjia klinike e injeksionit, do t’i nënshtrohet një rivlerësimi të thelluar, për të kuptuar defektet, por më pas do të vijojë si më parë. Kjo e fundit nuk vihet në diskutim, në një nga shtetet më konservatorë amerikanë.
Janë 27 shtetet që ende zbatojnë dënimin me vdekje. Metoda e përdorur nga të gjithë është pikërisht ajo që ndodh me anë të një injeksioni vdekjeprurës, por në disa shtete parashikohen edhe opsione të dyta, si karrigia elektrike, varja në litar, madje edhe pushkatimi, si në Jutah, Oklahoma dhe në Karolinën e Veriut. Ndër vite, shtetet tradicionalisht demokrate, përveç Kalifornisë, kanë votuar për heqjen e kësaj mase, dhe gjithsesi numri i të dënuarve është ulur ndjeshëm në dekadën e fundit.
/a.r