Nuk ka tym të bardhë në Bruksel. Kosova dhe Serbia nuk kanë zgjidhur ende çështjen e targave, as pas ndërhyrjes urgjente të Bashkimit Europian për të zbutur tensionet në Veri. Negociatat maratonë disaorëshe në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të BE-së Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, përfunduan pa një marrëveshje.
Këtë e njoftoi kreu i shtetit serb në një konferencë pas takimit të nivelit të lartë. “Na presin net pa gjumë dhe ditë të vështira përpara”, u shpreh Vuçiç duke konfirmuar se do të dëgjojë këshillën e Borrell që Serbia të mos lëshojë më targa me akronimin KM. Gjithashtu bëri të ditur dhe kërkesën e zyrtarëve të BE për Kurtin që të mos zbatojë pikën e dytë të planit të tij për ndërrimin e targave atë të gjobave.
Ndërkohë, aktualisht kryeministri i Kosovës po zhvillon një takim bilateral me përfaqësuesin e lartë të Unionit për politikë të jashtme. Përpara se të dilte në konferencën për shtyp, Vuçiç publikoi një imazh në rrjetet sociale ku shfaqej duke luajtur shah në ambientet e zyrave të Bashkimit Europian. “Po presim përfundimin e marrëveshjes dypalëshe Prishtinë-Bruksel”, shkruan presidenti i Serbisë në fjalinë shoqëruese të imazhit./m.j