Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka reaguar përmes një statusi në llogarinë e saj të ‘Instagram’ lidhur me paralajmërimin e Sali Berishës për protestë në 6 dhjetor si kundërvënie ndaj vizitës së liderëve europian të cilët do vijnë në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Nikolla shkruan se me këtë aventurë, Sali Berisha nuk sulmon Qeverinë dhe Partinë Socialiste, por përbalt Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, kam respektuar dhe do të vijoj të respektoj opozitën dhe të nxisë aksesin dhe hapësirat e saj në Kuvend dhe në jetën politike.
Në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë, në veprimtarinë parlamentare dhe jetën publike nuk kam mbajtur asnjëherë qëndrime të frymëzuara nga përkatësia ime politike e partiake.
Por kur vjen puna për dinjitetin e Shqipërisë, nuk mund të hesht!
Me aventurën e 6 dhjetorit, Sali Berisha nuk sulmon Qeverinë dhe Partinë Socialiste, por përbalt Shqipërinë dhe shqiptarët!
Me thirrjet dhe veprimet e veta, Sali Berisha njollos rrënjët dhe identitetin evropian të shqiptarëve dhe kërkon të vendosë pengesa në rrugëtimin evropian të Shqipërisë!
Thirrja ime për qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë është që ditën e Samitit të BE-së në Tiranë ta shndërrojmë në një ditë feste e përgjegjësie kombëtare!
Mos i shkoni pas një njeriu që, në emër të hallit të vet, nën pretekstin e luftës politike kundër Qeverisë, nuk kursen as Shqipërinë!”- shkroi ajo./m.j