Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka reaguar ashpër në lidhje me vendimin e Berishës për të nxjerrë opozitën në protestë më 6 dhjetor, pikërisht ditën e Samitit të vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë.
Peleshi, permes nje postimi ne rrjetin social, thotë se ky është një turp që nuk e meriton Shqipëria, dhe atë që po bën Berisha as Vladimir Putin të ishte në krye të opozitës shqiptare nuk do të bënte më shumë.
Ndërkohë që ministri i Mbrojtjes ngre pyetjen nëse është një dhuratë për Putin apo ndonjë borxh i vjetër.
Postimi i Peleshit:
NJË TURP QË NUK E MERITON SHQIPËRIA
Sot, kur Ballkani Perëndimor ka më shumë së kurrë nevojë për mbështetjen e BE dhe SHBA;
Sot, kur Shqipëria po spikat si vendi lider në orientimin e rajonit drejt perëndimit, pa dilema gjeopolitike;
Sot, kur jemi ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE;
Sot, në prag të një ngjarjeje historike të paimagjinueshme për nga forca që i jep rrugëtimit tonë europian – samitit të BE në Tiranë,
Sali Berisha thërret protestë kundër BE, në ditën e samitit. Asgjë më shumë se sa kaq nuk do të bënte edhe Vladimir Putin nëse do të udhëhiqte opozitën shqiptare.
Një dhurate apo një borxh i vjetër?
Sidoqoftë këtë faturë nuk mund ta paguajë Shqipëria.
Qëndrimi qytetar ndaj këtij turpi është detyrë e gjithsecilit.
Së pari e pjesës së shëndetshme të PD./m.j