Të paktën 342 persona janë vrarë, mes të cilëve 43 fëmijë, ndërkohë që protestat vijojnë në muajin e tretë në Iran. Në këtë bilanc ka arritur një raport i OKB-së për të drejtat e njeriut bazuar në të dhënat e “Iran Human Rights”. Deri më tani, sipas vlerësimeve të OKB-së, ka 14.000 arrestime. Protestat filluan në mesin e shtatorit pas vdekjes në burg të Mahsa Amini. Ajo u arrestua për veshjen e gabuar të mbulesës islame. Që atëherë, demonstruesit nuk kanë të ndalur, pavarësisht represionit të ashpër.
Krahas protestave, janë shtuar edhe greva. Protestuesit kanë thirrur edhe tri ditë grevë dhe protesta më intensive se zakonisht për të përkujtuar “Nëntorin e përgjakur” të vitit 2019. Asokohe, gjatë protestave antiqeveritare, llogaritet se u vranë rreth 1500 njerëz. Ndërkohë, regjimi fetar që qeveris Iranin, në përpjekje për të frenuar demonstratat, ka filluar të dënojë me vdekje disa prej të arrestuarve.
Ndërkaq ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, ka akuzuar Izraelin dhe agjencitë perëndimore të inteligjencës se po përpiqen të nxisin luftë civile në Republikën Islamike. “Shumë nga shërbimet e sigurisë, Izraeli dhe disa politikanë perëndimorë që kanë planifikuar luftën civile, shkatërrimin dhe shpërbërjen e Iranit duhet ta dinë se Irani nuk është Libi apo Sudan”, shkroi ministri në Twitter. “Sot, armiqtë kanë vënë në shënjestër integritetin e Iranit dhe identitetin iranian. Mençuria e popullit ka dështuar armikun”, shtoi Hossein Amir-Abdollahian.
/a.r