Dy raste të dyshuara me botulizëm janë zbuluar më 15 nëntor në Greqi siç bëjnë me dije autoritetet shëndetësore atje. Bëhet fjalë për një çift turistësh, të cilët po trajtohen në gjendje të qëndrueshme klinike në Atikë, ku njëri prej tyre është i intubuar. Ata patën simptoma dhe menjëherë u dërguan në spital ku u injektua edhe antitolksina speciale në rastet e botulizmit.
Dyshohet paraprakisht se çifti i turistëve kishte konsumuar bimë shpargu, ndërsa siptomat iu shfaqën disa orë pas vaktit të ngrënë, raporton abcnews.al.
Çfarë është botulizmi?
Botulizmi është një sëmundje e rrallë, por e rëndë paralitike e shkaktuar nga një neurotoksinë e prodhuar nga bakteri Clostridium botulinum.
Ekzistojnë gjashtë lloje të botulizmit: a) me origjinë ushqimore, b) infantile, c) toksemia intestinale e të rriturve, d) traumatike, e) jatrogjenike dhe f) inhalative.
Botulizmi i shkaktuar nga ushqimi ndodh kur Clostridium botulinum prodhon një toksinë në ushqim që më pas konsumohet pa gatimin e duhur për të shkatërruar toksinën.
Ekzistojnë 7 lloje të toksinës botulinike të ndara me shkronjat A, B, C, D, E, F, G. Vetëm llojet A, B, E dhe rrallë F shkaktojnë sëmundje tek njerëzit. Toksina konsiderohet si një nga substancat më vdekjeprurëse. Doza mesatare vdekjeprurëse (LD50) është 1 ng toksinë për kilogram të peshës trupore.
Toksina zakonisht prodhohet në ushqime të përgatitura në mënyrë të papërshtatshme ose të konservuara, me pak kripë ose sheqer, me aciditet të ulët, si dhe në ushqime të pasterizuara ose të gatuara lehtë që nuk janë ngrirë, veçanërisht ato në ambalazhe hermetike (p.sh. peshku i tymosur, produktet e mishit, salcat etj.).
Toksina shkatërrohet duke zier (85°C për 5 minuta ose më shumë), ndërsa sporeve u duhet më shumë kohë për t’u shkatërruar.
Prandaj rekomandohet që përgatitja e ushqimit të konservuar të bëhet duke ndjekur udhëzimet e organeve kompetente për sigurinë ushqimore.
Simptomat
Fillimisht pacientët paraqiten me dobësi, marramendje, shikim të turbullt, tharje të gojës, vështirësi në gëlltitje dhe të folur, për shkak të sulmit të nervave kraniale nga toksinat.
Simptomat neurologjike janë rezultat i paralizës së muskujve të shkaktuar nga toksina botulinum dhe përshkruhen si “paralizë e dobët simetrike zbritëse”. Paraliza e muskujve të frymëmarrjes mund të jetë fatale nëse nuk trajtohet menjëherë me mbështetje mekanike të frymëmarrjes.
Simptomat në botulizmin ushqimor fillojnë ose shumë herët, brenda 6 orëve nga ngrënia e ushqimit të kontaminuar, ose deri në 10 ditë më vonë. Zakonisht, koha mesatare e inkubacionit të sëmundjes është 18-36 orë.
Në botulizmin inhalator, koha e inkubacionit është më e gjatë dhe varion nga 12 deri në 80 orë pas ekspozimit, ndërsa në foshnjëri nuk dihet sepse zakonisht nuk është e qartë se kur janë gëlltitur farat e baktereve.
/e.d