Çfarë i tha Mehmet Shehu Enver Hoxhës më 1981? A ka kërkuar Mehmeti që Shqipëria të futet në luftë me Jugosllavinë? Pse Enver Hoxha dhe Ramiz Alia nuk e donin Mehmet Shehun? Si e përshkruan vdekjen e Mehmet Shehut truproja e tij? Pse regjimi komunist e vrau ministrin e shëndetësisë? Për çfarë e akuzoi Enver Hoxha Ali Çenon dhe Kadri Hazbiun? Telegrafi ju sjell në vazhdim mund të lexoni pjesë të kujtimeve të Ali Çenos, truprojës së Mehmet Shehut, të përgatitura nga Agim Zogaj.
“Personi që kreu vrasjen, ka hyrë nga dera e përparme e vilës, duke bashkëpunuar me një njeri të brendshëm që i ka hapur derën me citofon. Pasi i kanë hedhur qetësues të fortë në gotën e kamomilit, Mehmetin e kanë vrarë në gjumë me pistoletë me silenciator”, kujton Ali Çeno ato çaste të mëngjesit të 18 dhjetorit të vitit 1981, kur ai gjeti të vdekur shefin e tij, kryeministrin e Shqipërisë, Mehmet Shehun.
Çeno: Vrasjen e kurdisi Ramizi!
“Dora e tij ishte e ftohtë dhe gjysmë e ngrirë. Ai ishte i shtrirë në krevat me gojën e sytë e mbyllur dhe krevati nuk kishte asnjë rrudhë. Teksa po i masja pulsin, pashë Ladin që mori te komodina disa fletë të shkruara, që ishin të futura në një zarf të hapur. I thashë që të m’i jepte, por ai më tha se ato ishin për familjen. Po ashtu, mbi komodinë pashë dhe një gotë, që në fund të saj kishte një gisht lëng ngjyrë të verdhë. Atë gotë Mehmeti e përdorte për të pirë kamomil, si qetësues për shqetësimet që kishte ato ditë. Në atë moment unë mora në telefon Ramiz Alinë dhe i thashë: ‘Më dëgjo me vëmendje, Mehmeti ka vrarë veten’.
Pas fjalëve të mia, Ramizi m’u përgjigj krejt i qetë: ‘Jo ore’. Unë i thashë përsëri se Mehmeti kishte lënë një letër në një zarf të madh. Vetëm pas këtyre fjalëve Ramizi filloi të bërtiste dhe tepër i egërsuar më tha: ‘Letrën të mos e lexojë njeri, mos e hapni fare!’ Kur nuk kishin kaluar më shumë se 15 minuta, aty në dhomë erdhi Kadri Hazbiu, kurse Ramiz Alia qëndroi poshtë dhe nuk u ngjit fare sipër. Fjalët e para të Kadriut ishin: ‘Kush e ka letrën?’ Unë i thashë se atë e kishte Ladi dhe menjëherë hyra në dhomë, e nxora atë që andej dhe i thashë që letrën t`ia jepte Kadriut. Mbas pak, aty erdhi edhe grupi i ekspertëve kriminalistë, që do të bënte ekspertizën. Ata i mblodhën të gjitha sendet që ishin aty, në dhomën e gjumit të Mehmetit, si: orën e dorës, magnetofonin etj. Ndërsa po i paketonin ato në valixhet e tyre, unë u thashë që të merrnin edhe gotën që ishte mbi komodinë. Por, kur ktheva kokën, pashë se gota nuk ishte aty. Më erdhi inat dhe fillova që të kontrolloja, u futa dhe në banjo, por dhe aty nuk e gjeta”, shton Çeno.
Po si e mendon Ali Çeno se është kryer vrasja e shefit të tij, Mehmet Shehut, dhe cilat janë misteret që e kanë mbuluar atë natë? Cilët janë autorët e vërtetë që urdhëruan vrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu?
Truproja dhe komandanti i eskortës së ish-kryeministrit shqiptar, edhe pa foluar, lexohet qartë se ai di shumë më tepër se ç’ka dëshirë të rrëfejë rreth asaj ngjarjeje. Megjithatë, ai thotë: “Nuk e kam vënë kurrë në mëdyshje se ajo vrasje është kurdisur nga Ramiz Alia”, lëshon akuzën e bujshme Ali Çeno, duke vënë gishtin mbi ish-presidentin e fundit komunist të Shqipërisë, si një nga urdhëruesit e vrasjes së ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Dhe, vazhdon më tej: “Për këtë jam më se i sigurt. Ramizi ishte i vetmi njeri nga të gjithë anëtarët e Byrosë Politike dhe ata të Komitetit Qendror që i rrinte shumë larg Mehmetit, sepse të tjerët i rrinin sus dhe mundoheshin t’i serviloseshin sa më shumë, pavarësisht se Mehmeti nuk i duronte dot ato. Ramiz Alia vinte në shtëpinë e Mehmetit vetëm në raste festash dhe ajo gjë bëhej sa për sy e faqe.
Dy variantet për eliminimin e Mehmet Shehut!
Eliminimi i Mehmetit erdhi si pasojë e hapjes së rrugës për pushtet të Ramiz Alisë, të cilin Enveri e përcaktoi si pasardhësin e tij. Po Ramizi nuk mund ta zinte dot vendin e Enverit në rast se do ishte gjallë Mehmet Shehu. Kështu që Enveri me Ramizin vendosën eliminimin fizik të Mehmetit për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit të familjes Hoxha, gjë për të cilën Ramizi kishte dhënë prova se do e bënte, me lidhjen e krushqisë me familjen e Enverit. Kurse Mehmet Shehu jo vetëm që nuk kishte treguar ndonjë dëshirë për të lidhur ndonjë krushqi me familjen e Enverit, por ai kishte bërë të kundërtën, e kishte refuzuar atë, kur Nexhmija kishte dëshirë që një mbesën e saj ta martonte me Skënderin, djalin e dytë të Mehmetit.
Të njëjtën gjë Mehmeti e kishte bërë edhe me Ramiz Alinë, duke prishur miqësinë në mes dy familjeve, pak kohë pas ceremonisë që ata bënë në vilën e malit të Dajtit, aty nga fillimi i vitit 1980. Këto veprime të Mehmetit nuk ishin pak, për t’i dhënë Enverit të kuptonte se ai nuk po e pyeste fare që në gjallje të tij, pale më kur Enveri të kishte vdekur. Dhe ajo për të cilën Enveri me Ramizin nuk u pajtuan dot, është se Mehmeti jo vetëm që refuzoi lidhjet miqësore me familjet e tyre, por pranoi të lidhej me familjen Turdiu që, sipas Enver Hoxhës, kishte në farefis disa kriminelë të arratisur në Amerikë, midis të cilëve dhe Arshi Pipën që kishte bërë akuza shumë të rënda ndaj Enver Hoxhës nga ana e moralit. Duke i parë të gjitha këto, Enveri me Ramizin morën vendimin e eliminimit fizik të Mehmet Shehut dhe realizimin e atij plani e mori përsipër Ramizi, i cili e përgatiti situatën që me kurdisjen e kritikave në Byro”.
Por, çfarë ndodhi në mbrëmjen e 18 dhjetorit të vitit 1981, në kulistat e “Bllokut” komunist, ku jetonte udhëheqja e lartë shqiptare, pasi ishte vendosur eliminimi fizik i kryeministrit Mehmet Shehut?
Lidhur me këtë, Ali Çeno shprehet: “Mendoj se plani për vrasjen e Mehmetit ka qenë i përcaktuar deri në detaje, që do të realizohej në mbrëmjen e 18 dhjetorit. Për atë gjë ishin përgatitur dy variante. Varianti i parë ishte vrasja e Mehmetit, ashtu siç edhe u realizua, duke thënë se ai vrau veten gjatë një krize nervore. Kurse varianti i dytë do të zbatohej në rast se nuk do të arrihej të realizohej varianti i parë.
Vrasjen e Shehut e konfirmoi ministri i shëndetësisë, por ai u likuidua nga regjimi!
Në këtë rast, pra në variantin e dytë, Mehmeti do të arrestohej apo do të vritej me pretekstin se atë natë, pasi nuk kishte pasur rrugëdalje tjetër, pas kritikave në byro, kishte dashur që të vriste me atentat Enver Hoxhën dhe atë gjë ia kishte ngarkuar truprojës së tij Ali Çenos (i cili gjoja nuk arriti që ta kryente dot vrasjen, pasi u arrestua pak para se ta kryente atë). Për realizimin e variantit të dytë duhej që unë patjetër të isha prezent në ambientet e vilës së Mehmetit. Për ta zgjidhur këtë gjë (pasi unë nuk flija kurrë aty), atë natë më telefonoi njëri nga pjesëtarët e eskortës, duke më thënë se duhej të shkoja patjetër aty. Kështu, atë natë unë u detyrova të shkoja rreth orës 23 te vila, duke rënë pa dashje në atë truk që ishte organizuar më parë. Që nga ajo kohë, gjithmonë e kam sjellë nëpër mend dhe më ka munduar fakti se, nga ka hyrë në vilë personi që realizoi vrasjen e Mehmetit.
Në fillim dyshoja se ai kishte kaluar nga dera e prapme e vilës, ku zakonisht ne nuk kishim roje, por më pas e kam mësuar të vërtetën dhe e di shumë mirë se personi që realizoi vrasjen, ka hyrë nga dera e përparme e vilës, e cila hapej nga brenda me citofon. Për të realizuar hyrjen e vrasësit brenda në vilë, ka bashkëpunuar një i shërbimit të brendshëm. Nga ky person është hedhur ilaç gjumi në gotën që pinte Mehmeti dhe pasi ajo gjë e ka bërë efektin, personi është futur brenda në dhomën e tij dhe e ka vrarë në gjumë me pistoletë me silenciator, sepse zhurma e pistoletës do të ishte e pamundshme të mos dëgjohej në qetësinë e asaj nate. Jam krejt i bindur se kështu është realizuar vrasja dhe jo ashtu siç thotë ai, shefi i ekspertëve të kriminalistikës, i cili ka deklaruar që ajo ka qenë vetëvrasje klasike. Nuk ka vetëvrasje klasike, ka vrasje klasike. Dihet që vetëvrasja kryhet në kushtet e një depresioni të thellë dhe njeriu që e bën atë, shpërfytyrohet fare. Kurse në rastin konkret, Mehmeti ishte në një gjendje krejt normale, i shtrirë në kurriz me këmbë të bashkuara, i mbuluar deri përgjysmë, me sy e gojë të mbyllur dhe syzet e pahequra.
Nuk ka asnjë mundësi që njeriu të vrasë veten pa u shtrembëruar fare dhe pistoleta në momentin e qitjes duhet t`i kishte kërcyer pak larg trupit, kurse ajo ishte gati afër dorës. Se ajo ishte një vrasje, e konfirmoi edhe ministri i shëndetësisë, Llambi Ziçishti, kur i thanë: ‘Hajde se Mehmeti ka vrarë veten’. Por, kur Lllambi erdhi aty, me naivitet tha: ‘Kjo nuk është vetëvrasje’. Ky pohim i kushtoi jetën atij. Po gota që ishte sipër komodinës, çfarë kishte brenda dhe përse e zhdukën, kur ajo duhej për ekzaminim e jo ora e dorës, magnetofoni apo syzet që i mori me vete grupi i ekspertëve të kriminalistës”.
Dënimi i Çenos dhe i Hazbiut!
Po çfarë u bë me Ali Çenon, pas asaj ngjarjeje dhe cilat ishin akuzat që iu bënë atij?
Lidhur më këtë, Çeno dëshmon: “Mbasi më mbajtën nja dhjetë ditë gjysmë të izoluar dhe gjoja në dispozicion, më transferuan në Brigadën e Cërrikut si shef i fiskulturës. Mbas tre muajsh, kur isha duke ngrënë bukë në restorant, më arrestuan një grup i Hetuesisë Speciale nga Tirana. Në krye të tij ishte Sokol Spiro Koleka, i cili si një kriminel i vërtetë, që për një vit e gjysmë më ka torturuar çdo ditë në mënyrën më çnjerëzore. Aty, në hetuesi, më kërkonin gjëra krejtësisht të paqena e absurde. Më akuzonin sikur Mehmet Shehu më kishte ngarkuar mua që të vrisja Enver Hoxhën dhe se ajo gjë na ngeli në fazën përgatitore, pa e realizuar dot.
E dyta, më akuzonin si anëtar të bandës së Xhevdet Mustafës dhe si korrier Mehmet Shehut me agjenturat e huaja etj. Të gjitha këto ishin akuza false dhe më bëheshin që unë të pranoja dhe të vërtetohej ajo që e ngrinte Enveri për Mehmet Shehun si poliagjent. Duke më torturuar, më bënin presion dhe më thoshin se duhet të pranoja. Me gjithë torturat çnjerëzore që më bënë (kur hyra në hetuesi isha 115 kilogramë dhe dola prej andej me 63 kilogramë) unë nuk pranova asgjë, as në hetuesi dhe as në gjyq, ku më dënuan me dhjetë vjet burg, pjesën më të madhe të të cilit e kalova në Burrel. Mbas arrestimit, Sigurmi i Shtetit pasi m’i konfiskoi të gjitha plaçkat e shtëpisë, më internoi gruan dhe dy fëmijët e vegjël në fshatin Kotovjat të Gramshit, me dy batanije me vete. Atje ata i trajtuan në mënyrën më çnjerëzore, duke i lënë të banonin në një stallë kuajsh. Po kështu vepruan edhe me vëllezërit e mi, duke i hequr nga vendet ku punonin më parë”.
Po cili është roli i Kadri Hazbiut, i akuzuar nga Enveri si bashkëpunëtor i Mehmetit, por edhe i shumëpërfolur si i implikuar në vrasjen e tij?
Lidhur me këtë, Çeno dëshmon: “Kadri Hazbiu ka mbajtur një qëndrim burrëror, si gjatë hetuesisë ashtu edhe në gjyq, ku ai nxori të gjitha të palarat në shesh në lidhje me akuzat që i bëheshin si bashkëpunëtor i Mehmetit. Po kështu, në gjyq Kadriu lëshoi akuza të forta duke aluduar hapur për Enver Hoxhën, si shkaktar i dekonspirimit dhe i zhdukjes së agjentëve shqiptarë në vendet fqinje. Kadri Hazbiu nuk ka gishtë fare në vrasjen e Mehmet Shehut, përkundrazi, gjatë gjyqit ai e mbrojti atë, duke thënë: ‘Në rast se Mehmet Shehu ka qenë poliagjent, unë, Kadri Hazbiu, duhet të jem kryepoliagjent. Por, kjo akuzë nuk është aspak e vërtetë dhe këtu gjithçka është e montuar. Ne, që jemi të akuzuar këtu si bashkëpunëtorë të tij, nuk jemi gjë tjetër veçse koka turku për të justifikuar zhdukjen dhe eliminimin që iu bë figurës kryesore, Mehmet Shehut. Ky gjyq është i inskenuar dhe këta që na akuzojnë ne, janë ata që duhet të jenë në bankën e të akuzuarit si tradhtarë’…”
Çarja e madhe në mes të Mehmet Shehut dhe Ener Hoxhës filloi në vitin 1976
Ali Çeno dëshmon se, ndonëse konflikti i Shehut me Hoxhën ishte i shprehur prej vitesh, kontraditat mes tyre u ashpërsuar pas vitit 1976. Lidhur me këtë ai thotë: “Çarja e madhe, në marrëdhëniet mes Enverit dhe Mehmetit, filloi aty nga viti 1976. Nuk e di se cili ishte shkaku i prishjes së marrëdhënieve mes tyre, por ato u acaruan së tepërmi, sa që nuk takoheshin më me njëri-tjetrin, përveç në mbledhjet dhe takimet zyrtare. Pas atij viti ata nuk i bënin më pushimet së bashku, si zakonisht në Durrës, në Vlorë apo në Pogradec.
Pas atij viti ata pushonin veç e veç dhe prishja në mes tyre reflektoi dhe ndërmjet Nexhmijes e Fiqëretit, si dhe mes fëmijëve të tyre. Madje, kjo ftohje reflektoi dhe në dy grupet e shoqërimit që kryesoheshin nga unë dhe Sulo Gradeci. Përveç me Behar Zhurdën, që takohesha pasi e kisha shok dhe ishte njeri i mirë, asnjë nga oficerët e njërit grup nuk shoqërohej më me oficerët e grupit tjetër. Kjo ftohje, mes Enverit dhe Mehmetit që ndodhi në atë kohë, pati pasoja për Mehmetin dhe në mbledhjet e Byrosë Politike apo të Qeverisë, kur merrte pjesë dhe Enver Hoxha, filluan kritikat e shumta në adresë të tij, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Këto kritika, për probleme të ndryshme, i bëheshin nga Enver Hoxha, por dhe nga të tjerët që i nxiste ai, sidomos kur erdhën në qeveri Muho Asllani, Pali Miska, apo Lenka Çuko, të cilët Mehmeti nuk i duronte dot fare. Ai më thoshte shpesh: ‚A mundet që karrocieri apo mjelësja të drejtojë ekonominë e Shqipërisë’. Këto fjalë ai ua thoshte edhe disa konfidentëve të tij”.
Është thënë se në mes të Enverit dhe Mehmetit, nga marsi i vitit 1981, ka pasur polemikë e cila ka kaluar deri në kufijtë e grindjes. Këtë gjë e konfirmon dhe Ali Çeno, i cili ka qenë prezent në grindjen në mes dy kapove të shtetit shqiptar. Lidhur me këtë ai kujton: “Aty nga marsi apo fillimi i prillit të vitit 1981, Enveri dhe Mehmeti sapo kishin dalë nga ndërtesa e K.Q.-së. Ata u ndalën para shtëpisë së partisë, duke debatuar me njëri-tjetrin me zë të lartë, sa që fjalët e tyre dëgjoheshin jo vetëm nga ne oficerët e grupeve të shoqërimit, por edhe më larg. Mehmeti iu drejtua Enverit: ‘Sot të shpallim mobilizimin e përgjithshëm dhe të nisim tanket drejt Veriut, në kufirin me Jugosllavinë. Ne këtu nuk mund të rrimë duarkryq dhe byth palafiku, kur atje vriten njerëz. Një mobilizim i përgjithshëm do të tërhiqte vëmendjen e Perëndimit dhe problemi i Kosovës do të jetë më i lehtë për t’u zgjidhur. Po të na paraqitet nevoja, të fillojmë edhe luftën. Nuk kemi ç`presim më’. Pas këtyre fjalëve, Enveri ju përgjigj po me atë ton të lartë: ‚Jo, këtë nuk mund ta bëjmë kurrë. Nuk mund ta prishim në një ditë atë që kemi ndërtuar për dyzet vjet’…“.
TELEGRAFI