Sulmi me raketa në një fshat të Polonisë, shkaktoi shqetësime të mëdha në të gjithë shtetet perëndimore.
Ishte hera e parë që prej fillimit të luftës në Ukrainë që një vend i NATO-s u godit dhe që solli pasoja në jetë njerëzish.
Kjo për shkak se parimi themelor i NATO-s është se një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve, siç përshkruhet në nenin 5 të traktatit.
Nëse raketat që goditën Poloninë do të ishin lëshuar nga Rusia, mund të konsiderohej një sulm i armatosur, edhe nëse objektivi i synuar do të ishte Ukraina.
Hakmarrja nga pjesa tjetër e NATO-s nuk do të kishte qenë automatike, por vendet do të ishin të detyruara nga traktati të merrnin çfarëdo veprimi që ata e konsideronin “të nevojshëm” për të mbështetur Poloninë.
Në skenarin më ekstrem, kjo mund të kishte çuar në një sulm të NATO-s ndaj Rusisë dhe një përshkallëzim pothuajse të paprecedentë të luftës.
Neni 5 është aktivizuar vetëm një herë më pare, në emër të SHBA-së pas 11 shtatorit. Ky ishte zhvillimi që liderët perëndimor i druheshin që prej fillimit të luftës në Ukrainë.
Por frika e hershme se Rusia mund të kishte sulmuar qëllimisht Poloninë u zbeh shpejt, pasi analistët dhe më pas politikanët perëndimorë u rreshtuan për të thënë se ky nuk dukej si një sulm i qëllimshëm rus.
Pas takimit të mëngjesit të sotëm të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, tha se analizat e tij paraprake treguan se rrënojat e filmuara në vend ishin pjesë e një rakete të mbrojtjes ajrore ukrainase.
/e.d