Zv/kryeministrja Belinda Balluku ka raportuar në parlament në lidhje me projektin e ri turistik të portit të Durrësit. Ajo u shpreh se akuzat e opozitës për afera janë çështje politike të ditës. Sipas Ballukut, opozita nuk gjen asgjë të mirë në vendin e saj. Gjatë fjalës në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Balluku tha se ky investim duhet shikuar si një arritje e të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e qeverisë. Ajo u shpreh se angazhimi njerëzor profesional dhe teknik në këtë projekt ka qenë më i madhi. Balluku tha se shkon për të raportuar jo me frikë dhe fshehje, por me krenarinë më të madhe për punën që është bërë.
“Këto historitë me afera e kuptoj që janë çështje politike të ditës pasi nuk duhet të jetë e këndshme për një opozitë, aq më tepër një opozitë e cila nuk gjen asgjë të mirë në vendin e saj që sot të durojë një investim prej 2 miliardë eurosh që fatkeqësisht e konsiderojnë si një arritje e qeverisë shqiptare. Unë do të thoja që konsiderojeni si një arritje të të gjithëve ne. Shikojeni nga ky këndvështrim. Shikojeni nga këndvështrimi që kjo është një arritje e shqiptarëve. Nuk është një arritje vetëm e qeverisë shqiptare. Kjo është një arritje e shqiptarëve pasi edhe fakti që Durrësi është një vend që gëzon të gjitha bujaritë e Zotit, diellin, detin, rërën. Shikojeni këtë si një kontribut të të gjithëve ne për Shqipërinë. Mos e merrni dhe e alienoni me shprehje të tmerrshme të aferave korruptive. Nëse aferat korruptive do kishin qenë të tilla duhet të kishit qenë shumë të lumtur sepse nuk ka afera korruptive me negociata 12-mujore, nuk ka afera korruptive me çdo hap të regjistruar, të shkruar, të firmosur, të arkivuar. Nuk ka volum shkresor në asnjë projekt tjetër më të madh e ky. Nuk ka angazhim njerëzor në asnjë projekt tjetër më të madh se ky. Nuk është angazhim politik, por profesional dhe teknik. Fakti që jemi të gjithë përpara këtu siç na shikoni pa pasur frikë e pa u fshehur, dhe me krenarinë më të madhe që t’ju them të vërtetën, jo frikë e fshehje, por me krenarinë më të madhe për punën që kemi bërë se kemi punuar ditë e natë. Dhe këto burra, këto gra që shikoni këtu, që i morët dje dhe i bëtë lecka dhe nuk i latë llaf pa thënë, kanë bërë një gjë që do të shërbejë si shkollë sa i përket negociatave komerciale në Republikën e Shqipërisë në të ardhmen”, tha Balluku.
/a.r