Të paktën një milion diagnoza kanceri mbetën të padiagnostikuara në Evropë gjatë dy viteve të pandemisë, e kjo gjë mund të çojë në një “epidemi” të kancerit brenda dekadës së ardhshme. Këtë e ka paralajmëruar një panel ndërkombëtar onkologësh dhe ekspertësh të tjerë.
Shkencëtarët e komitetit të ri të revistës prestigjioze mjekësore “The Lancet Oncology”, të udhëhequr nga Profesor Mark Lawleri theksuan se Covid-19 ka nxjerrë në pah një sërë dobësish si në fushën e trajtimit të kancerit ashtu edhe në fushën e kërkimit në Evropë, të cilat nëse nuk trajtohen në kohë rrezikojnë të vonojnë trajtimin e kancerit për gati një dekadë.
“Ne vlerësojmë se rreth një milion diagnoza të kancerit nuk u diagnostifikuan. Ne po garojmë me kohën për të gjetur këto kancere.”
Raporti Evropian Groundshot i Komisionit të Onkologjisë Lancet, i paraqitur në Samitin Evropian të Kancerit 2022 thekson se një në dy pacientë me kancer nuk iu nënshtruan operacionit ose kimioterapisë së nevojshme në kohë. Për më tepër, 100 milionë teste diagnostikuese imazherike për kancerin nuk u kryen. Përtej koronavirusit, lufta në Ukrainë ka ndikimin e vet, duke qenë se Rusia dhe Ukraina kanë qenë gjithmonë dy vende të përfshira shumë në kërkimin klinik të kancerit.
Raporti i ekspertëve zbuloi se në dekadën e mëparshme 2010-2019, investimet totale në Evropë për kërkimin e kancerit arritën në 20 deri në 22 miliardë euro, ose rreth 26 euro për frymë, krahasuar me 80.5 miliardë dollarë (76 miliardë euro) që investon Amerika.
/s.f