Ditën e sotme pritet që të mblidhet Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.
Është mbledhja e radhës, por që do të zhvillohet ndryshe nga herët e tjera pasi do të jetë e hapur për mediat. Aty do të jetë e pranishme edhe Presidentja e Grupit Socialist dhe Demokrat në Parlamentin Europian, Iratze Garcia Peres.
Kjo e fundit është duke zhvilluar disa takime në Ballkanin Perëndimor. Ditën e djeshme, ajo ka zhvilluar një vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku ka pasur një takim edhe me kryeministrin Kovaçevski.
Fokusi i rrugëtimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në integrimin drejt BE-së pritet të jetë në fokus në mbledhjen që do të zhvillohet ditën e sotme me grupin e PS. Takimi do të zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit.
Gazetarja Klesiana Omeri raportoi se socialistët do të kenë edhe një sërë çështjesh të tjera për të diskutuar, duke qenë se kanë mbetur ende pa marrë miratimin disa projektligje që kanë propozuar që lidhen me dekomunistizimin.
Kjo mbledhje vjen pak ditë ku do të vendoset për miratimin e buxhetit 2023. Mbetet për t’u parë që nëse edhe këto çështje do të diskutohen me dyer të hapura.
Ndërkohë Kryeministri Edi Rama do të jetë në Berat ditën e sotme në kuadër të turit të tij paraelektoral. Ai do të takohet fillimisht me fermerët, me të rinjtë dhe më pas do të prezantohen punët e Bashkisë së Beratit.
Gazetarja Klesiana Omeri raportoi se takimet e Ramës do të jenë intensive në ditët në vijim, deri në fillim të Dhjetorit. Më pas gjatë muajit të fundit të vitit, pritet që të ketë një pushim edhe për shkak të zhvillimeve që lidhen me ndeshjet e Botërorit, për t’u rikthyer sërish në Janar.
/a.r