Në 24 Nëntor do të mbahet seanca plenare për debatin mes palëve politike sa i takon projektit të Portit të Durrësit, që ka shkaktuar akuza të ashpra të opozitës kundrejt qeverisë.
Nën drejtimin e kryeparlamentares, Lindita Nikolla u përcaktua që seanca e debatit për portin e Durrësit të mbahet në këtë datë, ku pritet që diskutimet të zgjasin rreth gjashtë orë.
Mbledhja e Konferenfcës së Kryetarëve, miratoi gjithashtu kalendarin e punimeve në Kuvend për periudhën 22 Nëntor-23 Dhjetor 2022.
Vendime të marra për seancat plenare:
Zhvillimi i seancave plenare në datat 24 nëntor, 5 dhjetor, 15 dhjetor dhe 22 dhjetor 2022.
Mocioni me debat për integrimin evropian, i programuar për seancën plenare të datës 17 nëntor, të zgjasë 4 orë.
Debati për projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”, i programuar për seancën plenare të datës 24 nëntor, të zgjasë 6 orë.
Në Konferencat për shtyp, së fundmi ish kryeministri, Sali Berisha dhe kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta kanë akuzuar qeverinë për projektin e Durrësit, duke deklaruar se ishte një aferë korruptive e cila synonte pastrimin e parave. Lidhur me këtë projekt kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka paralajmëruar një padi në gjykatë, duke e cilësuar si një projekt anti-kushtetues./m.j