Dje u nda nga jeta arkitekti, publicisti dhe njëri ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Bamir Topit, Arben Shehi. Zoti Shehi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë e cila e ndau para kohe nga familja.
Arben Shehi u lind në qytetin e Shkodrës në vitin 1954, në një prej familjeve më të vjetra e më në zë të qytetit, me tradita të spikatura historike, intelektuale dhe shoqërore. Pas diplomimit për arkitekturë më 1977, për një kohë relativisht të gjatë i kushtohet projektimit arkitektonik dhe kërkimit shkencor të fushës (1979 – 1993), si dhe angazhimit akademik (lektor korrespondent) në Fakultetin e Arkitekturës (1984 – 1993).
Në vitet 2000 ai u angazhua në Presidencë me ish-presidentin Topi dhe vitet e fundit në Frymën e re Demokratike. Me humbjen e tij, largohet një intelektual i njohur dhe një njeri me shpirt të lartë civil dhe me një talent të spikatur në fushat ku veproi.