Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga ishte i ftuar Zini Dishi, për të na rrëfyer historinë e tij të jetës, nga Dibra në Britani të Madhe, brenda një kazani mbeturinash.
Teksa na tregoi udhëtimin nga Dibra në Greqi dhe Itali, na tregoi edhe disa situata mjaft prekëse e disa shumë qesharake që i kanë ndodhur në udhëtimin e tij të pabesueshëm.
“Unë jam nga një fshat i vogël i Dibrës. Unë kam ikur në vitin 1993, isha vetëm 16 vjeç dhe zgjodha rrugën e emigracionit si shumë shqiptarët të tjerë. U largova në Greqi ku kalova 5 vite atje. Kam ikur nga mali, pas 6 ditëve kam mbërritur. Ishta diçka e vështirë sepse nuk ishim mësuar me këtë rrugë kaq të vështirë, me borë me shi edhe me shumë frikë sepse kishte ushtarë ngado. Iknim vetëm ditën sepse natën nuk shikonim e nuk dinim si të orientoheshim. Kishim vetëm një busull dhe hënën. Edhe atje ku mbërritëm nuk është se na pritën me krahë hapur. Megjithëse unë besoj që do vijë një ditë që grekët do punojnë në Shqipëri apo do punojnë për shqiptarët kudo në botë.
Pas 5 viteve mora një rrugë tjetër që ishte Anglia. Unë kam 22 vite që punoj në menaxhim këtu dhe kam pasur shumë punëtorë grekë. Nuk e kam besuar kurrë që një ditë unë do isha bosi i grekut, le të themi. Jeta në Greqi më ka bërë atë që jam sot. Puna, vështirësitë, përballja me njerëz që nuk të pëlqejnë janë ato që e bëjnë njeriun më të mirë. Greqia ka dhe njerëz shumë të mirë. Unë kam miq shumë të mirë në Greqi, kthehem ndonjëherë në vendin e punës që kam punuar dikur. Jam kthyer si turist dhe ndjej dhimbje kur shikoj rrugët, parcelat e misrit apo të grurit që unë kisha punuar dikur. E kam pasur ëndërr që një ditë të ktheehsha aty dhe t’i takoja ata njerëz i lirë, pa pasur frikë.
Gjithçka nisi kur një djalë më i ri se mua, pronari im me të cilin punoja në arë, më ftoi një ditë për kafe. Toka ishte e lagur sepse kishte rënë shi dhe nuk punomim dot. Ai më tha të mos mërzitem e të mos i humb ëndrrat sepse nuk ishte kjo jeta, nuk kisha për të qëndruar gjithë jetën duke mblehdur parcelat e tyre. Bota ka dhe vende të tjera shumë shumë më të mira se këtu. Më preku me atë që më tha. Kuptova dhe se në Greqi aq ishte arritja, nuk mund të shkoja më sipër. Punoja në Selanik, Plati quhej fshati. Pronarit nuk i thashë se do ikja, i thashë se do ikja një javë me pushime në Korinth. Aty shkova dhe prej aty ishte porti ku do merrja anijen për t’u larguar. Në Greqi nuk kisha as dokumenta, punoja në të zezë dhe sa kishte nisur një regjistrim i refugjatëve.
Shkova në Patra për një javë, për të gjetur mënyrën si do largohesha. Doja të shkoja në Angli sepse këtu kisha vëllanë dhe disa të afërm. Gjeta një grek këtu që më futi në kazanin e plehrave. Ai shkonte drejt vaporit dhe merrte plehrat aty për t’i derdhur më pas jashtë. Më futi në kosh dhe më shkarkoi aty në maune. Hipa në maune dhe ajo më nxori në Itali. Maunia u parkua në port, nuk iku në rrugën që unë shpresoja.”, u shpreh ai./m.j