Nga Kreshnik Spahiu
Dje protesta e Partisë Demokratike ishte më e veçanta në historinë politike në 32 vitet e fundit:
– jo nga pjesëmarrja
– jo nga fjalimet
– jo nga formati
– jo nga kauza
– jo nga kohë-zgjatja
Thjesht ishte historike sepse ishte:
– më e trishta
– më e qeta
– më e vdekura
– më e zbehta
– më pesimistja
Thjesht dhe troç, ajo kishte zero entuziazëm.
Kam ndjekur çdo protestë nga 8 dhjetori 1990 dhe deri dje, por kurrë nuk më është dukur turma e mijëra demokrateve aq pesimiste dhe indiferente.
E gjitha i përngjante një ndeshje futbolli ku tifozët shikojnë për kuriozitet, por jo për fitore sepse e dinë rezultatin para se të fillojë ndeshja që do humbasin 0 me 6.
Vetëm kur tifozët e dinë humbjen ata shkojnë dhe janë spektatorë.
Nuk i kam parë kurrë kaq të mbaruar dhe trishtuar protestuesit e zjarrtë dhe militantët që e duan me zemër atë parti.
Ata nuk kanë qenë kurrë aq të qetë dhe të zbehtë:
– as kur u vra babi Rudinës, Azem Hajdari;
– as kur Shqipëria u dogj nga rebelimi 97;
– as kur protestohej kundër ambasadores amerikane Mariza Lino;
– as kur humbëm zgjedhjet 2001;
– as kur dha dorëheqjen Sali Berisha;
– as kur rriheshin me njëri-tjetrin në oborrin e partisë;
Ata dje kishin një dilemë të madhe. Ndoshta ju mungonte lideri, ndoshta ju mungonte kauza, ndoshta ju mungonte shpresa. Fundja çfarë do bënim përveç se të thërrisnin:
“Poshtë Amerika, Rroftë Monika”
Tribuna ishte plot me komunistë që premtonin Revolucionin, por e shtynë pas kampionatit Botëror të Futbollit.
Kishin udhëtuar 6 orë me makina duke ardhur nga fshatrat, por atje i priste zjarrfikësi i protestave. Nuk ishte Lulzim Basha, por mentori i tij Sali Berisha. Ai që premtoi se revolucioni i “Foltores” nuk do flejë gjumë si Basha, por protesta e tij ishte e pakrahasueshme me protestat e Lulzimit sepse:
– Kishte më pak protestues;
– Kishte më pak entuziazëm;
– Kishte më pak forcë dhe goditje;
– Kishte më pak zjarr;
– Kishte pak kohë dhe orë në funksion të kauzës.
Po pyetja shtrohet: Kush e fiku dje zjarrin e protestë?
Askush, thjesht dje nuk kishte zjarr sepse ajo nuk ngrohte askënd.
Kishin dalë me mijëra dhe ishte plot, por kishin dalë për një vaki popullore sepse xhenazen e kishin në tribunë, prandaj ajo nuk ishte protestë, por funeral me dy kufoma politike pa arkivol.