Nga Frrok Çupi
Të dy, mbrëmje pas mbrëmjeje, sa në Kodrën e Diellit aq edhe në Gjirin e Lalzit, më në fund e gjetën simbolikën e protestës së ‘ madhe’ të datës 12 Nëntor. E gjitha do të ishte si një zarf me politikë e me urrejtje, por që brenda do të kishte erotizëm, dashuri ‘te kodra e te mullari’, ‘hajde këtu se të erdha atje…’.
Të dy, Sali dhe Iliri, po vdesin nga shkulmet e zjarrmisë për maxhorancën, për Parlamentin, për kryetarin e qeverisë, për vetë Amerikën që e kanë ngatërruar me Moskën.
Fillimisht zgjodhën datën e protestës, një datë që të ishte simbolike, sidomos për të fshehur erotizmin. Data 12 u gjet nëpër analet e historisë së lashtë judaike- kristiane, ku vetë Perandori me dorën e tij caktoi 12 orë- gjysmën e 24 ku çifti do t’ i kushtohej njëri tjetrit. Sala dhe Liri vendosën për datën 12 Nëntor, sepse shifra 12 është e kudondodhur: Është numër i muajve të vitit, është numri i akrepave të sahatit në xhepat e burrave të Çepanit dhe Vicitolit; janë 12 tringëllimat e orës në murin e kullës…
Por shifra 12 është edhe numri i anëtarëve të një jurie tipike gjykate.
Kjo ishte ideja themelore për të gjetur numrin 12 të Jurisë. Me këtë rast Liri dhe Sali i dërguan mesazh Edi Ramës dhe zonjës Kim, se ‘dorëzohemi para jurisë, na shpëtoni, se ju dashurojmë’. Ky ishte mesazhi kryesor. 12 gjykatësit, 12 anëtarët e Jurisë dhe 12 apostujt-kjo ishte e tëra.
Pas datës 12 të protestës, këta zgjodhën edhe tre elementë të tjerë të erotikës:
1.Elementin e tufës në mal
2.Elementin e shtegut përtej mullarit ku Berisha i thërriti Ramës ‘ më prit aty se po na del hëna’.
3.Elementi melankolik i xhelozisë dhe i ndarjes përjetë.
Atëherë, si u zhvilluan në bulevard një nga një episodet e lirikës:
Episodi i parë, i tufës.
Kishin prurë ‘ dele’ dhe tipa të marrë nga të gjitha skërkat e Shqipërisë. Ata do ta dinin sikur po luftohej për ‘dylqinjën’ e tyre, por në fakt do të ishin ata ‘shamia e kuqe’ për të mbuluar dashurinë Liri- Sali me Ramën. Budallenjtë, gjatë gjithë kohës e dinin sikur po gjëmonin retë nga lufta, por në fakt nga bulevardi dilnin avujt e Lirit e Salës për pathos. Tufa nuk ndalej drejt kryeministrisë. Dy dashnorët afroheshin më shumë sipas këngës erotike:
“ Ti m’kërkon, Unë t’ kërkoj/ Tufa pse s’po ndalet/ Zërin tënd kur dëgjoj/ Bora shkrin nga malet”
Episodi i dytë:
‘Më prit te shtegu, qen bir qeni”. Ky është një motiv i lashtë i erotikës në fshat; aty ku tradhtarja ngrinte zërin më shumë, aty sinjali ishte dashuror. Më së shumti mesazhi ishte ‘qen bir qeni, prit te stani”. Saliu i bëri thirrje Edi Ramës dje duke i thënë “Prit aty se erdha… E kam marrë vendimin në Kodrën e Kuqe në mal”. Sa tha këto fjalë, tufa u ngreh në duartrokitje, dhe ky e ndjeu veten dashnor të fituar. I bëhet sikur Rama i përgjigjet po aq ëmbël:
‘ Unë jam thëllënzë e dal në mal/ S’ke për t’më zënë sa të jesh gjallë”
Por Saliu e di vetën se sa gjahtar pasionesh është, dhe i thotë se ‘nuk ke shpëtim’.
‘Unë gjahtar i mirë jam/ E t’kërkoj mal më mal/ E të dal e zbres në fushë/ Tak e tuk të gjuaj me pushkë”
Episodi i fundit i xhelozisë, se ti ‘ke futur në gji atë tjetrin’:
Më në fund, në mes të bulevardit ra një telefon dhe Meta ia tregoi Berishës. I pa gjithë dynjaja. Të dy u pikëlluan dhe u harlisën si dashi. Me sa dukej Rama u kishte dërguar fjalë se ‘ kot e keni, unë e kam lidhjen me Bashën’. Megjithatë e fshehën mesazhin, e fshehën nga tufa që ulërinte. Të pikëlluar sa nuk ka, menduan ta mbyllin me një këngë dashurie pesimiste, sikur fundi i botës po vinte pas ndarjes së tyre. Liri i tha ‘boll tani me këngët e vjetra, e marrim një nga të rejat e Sonit’. Dhe nisën, ashtu nën zë:
“Në telefon mos kërko numrin e vjetër/ Se unë s’ jam më, aty është dikush tjetër/ Harroje emrin që s’ekziston më/ se kush ka vdekur- jo, s’është kthyer më”.
Pamfleti