Ka ndërruar jetë iraniani i cili për 18 vjet jetoi në një aeroport të Parisit. Mediat ndërkombëtare raportojnë se Mehran Karimi Nasseri bëri shtëpinë e tij në vitin 1988 një zonë të vogël të aeroportit Roissy Charles de Gaulle.
I lindur në vitin 1945 në provincën iraniane të Khuzestanit, Nasseri fillimisht fluturoi në Evropë në kërkim të nënës së tij. Ai kaloi disa vite duke jetuar në Belgjikë, pasi ishte dëbuar nga Britania e Madhe, Holanda dhe Gjermania për shkak të mungesës së dokumenteve të sakta të imigracionit. Më pas ai shkoi në Francë, ku e bëri shtëpinë e tij terminalin 2F të aeroportit.
I vendosur në stolin e tij, i rrethuar nga karroca që përmbanin pasuritë që kishte grumbulluar, ai i kalonte ditët duke shkruar për jetën e tij në një fletore dhe duke lexuar libra e gazeta.
Historia e tij tërhoqi vëmendjen e Stephen Spielberg, ku u frymëzua për filmin e vitit 2004 “The Terminal”, me protagonist Tom Hanks dhe Catherine Zeta-Jones.
Pas publikimit të filmit, gazetarët u dyndën për të folur me njeriun që kishte frymëzuar një film të Hollivudit dhe jepte deri në gjashtë intervista në ditë, raporton Le Parisien.
Pavarësisht se iu dha statusi i refugjatit dhe e drejta për të qëndruar në Francë në vitin 1999, ai qëndroi në aeroport deri në vitin 2006, kur u dërgua në spital për t’u trajtuar për një sëmundje. Më pas ai kaloi kohë duke jetuar në një bujtinë, duke përdorur paratë që kishte marrë për filmin, raporton gazeta franceze Libération. Zoti Nasseri u kthye në aeroport disa javë më parë, ku jetoi derisa vdiq, tha një zyrtar i aeroportit, ndërsa iu gjetën disa mijëra euro në zotërim.
/a.r