Biznesmeni fierak Nuredin Suli, të cilit iu bë atentat me eksploziv këtë të martë, në Komunën e Parisit, është vëllai i Neim Sulit, i cili humbi jetën pas atentatit që ju bë në Fier më 10 nëntor të vitit 2012. Neim Suli u akzekutua pranë derës së shtëpisë nga 3 persona, të cilët u identifikuan më vonë nga policia si shtetasit Gëzim Sulo dhe dy djemtë e tij Ervis dhe Endri Sulo.
Në fakt Neim Suli dhe Gëzim Sulo ishin miq të vjetër të cilët kishin punuar së bashku jashtë vendit, e më pas me ardhjen e tyre në Shqipëri, nisëm të merren me biznes. Konflikti i tyre lindi pas një sherri për bllokimin e rrugës që kishte krijuar servisi i automjeteve që kishte ndërtuar Gëzim Sulo. Konflikti shkoi deri aty sa pati një përplasje me armë. Ngjarja më pas u transferua në gjykatë, që sipas Nuredin Sulit, ishte manipuluar, me një pagesë prej rreth 100 mijë eurosh.
Në vitin 2013, në muajin maj, makina e vëllait të Gëzim Sulos shpërthen në ecje, e fatmirësisht ai dhe bashkëshortja e tij arritën të shpëtojnë. Kanë qenë disa tregtarë ambulantë, të pranishëm në momentin e shpërthimit të motorrit, që kanë ndihmuar dy personat e familjes Sulo që të dalin në kohë nga automjeti.
Ndërkohë që vetëm disa muaj më pas, në tetor të 2013, në një pikë karburanti në rrugën Fier Patos, pronë e familjes Suli, ndalon një automjet dhe qëllon me breshëri automatiku në drejtim të pronarit Namik Suli, i cili arriti të shpëtojë pa marrë plagë.
Automjeti u largua dhe u gjet më vonë i braktisur nga policia, por autorët e atentatit u zhdukën pa lënë gjurmë, autorësia nuk është zbardhur, por ngjarja u lidh me vrasjen e një viti më parë të vëllait të biznesmenit nga shtetasi Gëzim Sulo dhe dy djemtë e tij.