Arkitekti Artan Shkreli thotë për “Aldo Morning Show” në Tv Klan se në rastet e sëmundjeve fatale, të parët duhet të njoftohen familjarët. Pacientit duhet t’i lihet të kuptojë që nuk ndodhet në një situatë të lehtë, por lajmërimi i tij se nuk ka shpëtim nuk do ta ndihmonte.
Nisur nga kjo përgjigje, ai thotë se me babain e tij, i cili u diagnostikua me sëmundje të pashërueshme e më vonë ndërroi jetë, deri në ditën e fundit ai nuk e dinte gjendjen e tij të vërtetë.
Aldo: Në rrethin tënd shoqëror, ndoshta farefisnor, ke patur ndoshta raste të tilla, kanë ndodhur, ke dëgjuar?
Artan Shkreli: Kam pasur rastin e tim eti, i cili për fat të keq iku nga një sëmundje e pashërueshme. Në një moshë të shtyrë, por një sëmundje e pashërueshme. Ai deri ditën e fundit nuk e dinte që do ikte.
Aldo: Ah, e keni mbajtur ju sekret?
Artan Shkreli: Po, e kuptonte që ka një gjë që nuk shkon. Ka jetuar me shumë kthjelltësi ditët deri në fund. Ky për mua është shembulli i një njeriu që nëse do i kisha thënë që në fillim që baba, nuk e ke, ky muhabet ka marrë fund, besoj që edhe për natyrën që kishte, ai do e kishte lëshuar veten.
Aldo: Dhe në këtë rast, ju jo e keni gënjyer, por të paktën jeni përpjekur t’i përmirësoni cilësinë e jetës.
Artan Shkreli: Po. Ai pati një kurë. Ne as nuk i thonim që shiko se kjo është një gjë kalimtare që do kalojë sepse do ishte shumë e rëndë edhe për ne vetë.
Aldo: I shmangnit bisedat.
Artan Shkreli: Shmangnim efektin fatal, si duket edhe ai vetë donte ta shmangte kështu që ishte një kompromis i heshtur që nëse do ndodhë, do ndodhë dhe ai nuk e ka ditur kurrë me siguri që nuk ka shpëtim, ishte diçka që duke i ndenjur pranë tim eti, unë do doja të ikja si ai, i rrethuar nga njerëzit e dashur, nga fëmijët, nga nipat, domethënë, ai iku kështu. E mbaj mend deri në momentet e fundit, nuk ra kurrë në dëshpërim, kjo ishte një gjë shumë e mirë besoj.
/s.f