Presidenti kinez Xi Jinping i ka bërë thirrje Ushtrisë Çlirimtare të Popullit që t’i fokusojë energjitë e saj tek lufta.
Foto të Xi me uniformë ushtarake gjatë një vizite në një bazë u publikuan në faqen e parë të së përditshmes “People’s Daily”.
Xi tha se ushtria duhet të përforcojë kapacitetet e saj luftarake dhe të përgatitet për luftë. Deklarata e tij vjen pak kohë pas asaj të bërë në kongresin e Partisë Komuniste, se “stuhi të rrezikshme po shfaqen në horizont”.
“Përqendrojini energjitë tek lufta, punoni shumë dhe përmirësoni aftësitë tuaja për të fituar. Ushtria duhet të mbrojë sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të Kinës”, tha Xi sipas gazetës.
Të njëjtin mesazh presidenti kinez u dërgoi forcave të armatosura edhe në 2013-n, menjëherë pasi mori pushtetin dhe sërish në 2017-n.
Por për analistët, këtë herë Xi ka ashpërsuar retorikën. Sipas tyre, ai po i përcjell një mesazh Shteteve të Bashkuara dhe Tajvanit.
“Edhe pse fuqia e ushtrisë kineze nuk është ende e barabartë me atë të Amerikës, vendimmarrja e Xi nuk është bazuar gjithmonë tek përllogaritjet”, ka deklaruar Will Lam, pjesëtar i Fondacionit Jamestown, me bazë në Uashington.
Xi kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e hapur për Tajvanin në kongresin e njëzetë të Partisë Komuniste, që u mbajt muajin e kaluar në Pekin. Ai fajësoi ndërhyrjet e huaja për përkeqësim të tensioneve në rajonin aziatik./m.j