Nga Ermir Gjinishi
Samiti i Berlinit për Ballkanin Perëndimor të enjten e 3 nëntorit, ishte takimi i tretë i cili startoi me iniciativën e kancelares Angela Merkel në 2014-ën. Korniza e tij synon të nxisë bashkëpunimin midis gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë integrimin e rajonit në BE. Si në samitet e mëparshme edhe këtë herë samiti u ndal më shumë tek sukseset sesa problemet. Pa vënë aspak në dyshim rëndësinë e procesit, në tetë vite që nga nisja e tij janë nënshkruar vetëm 3 marrëveshje midis vendeve të rajonit. Pas heqjes së tarifave roaming dhe marrëveshjes green lanes gjatë pandemisë, marrëveshjet e 3 nëntorit konsiderohen “suksesi i tretë” i Procesit të Berlinit. Me gjithë retorikën optimiste të Olaf Scholz, Ursula von der Leyen, Charles Michel dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor, shprehur gjatë deklaratës së përbashkët, realisht vala e termit “sukses” në aktualitetin e Ballkanit Perëndimor nuk e kapërcen frekuencën e gjykimit të Henry Ford “Vizioni pa veprim është vetëm halucinacion.”
Pas 21 vitesh nga lufta e fundit në Ballkan, ajo në Maqedoninë e Veriut, sërish kryefjala e termave të sigurisë së BE-së mbetet Europa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor. Vijon të mbetet e errët perspektiva europiane dhe e sigurisë së Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës, për shkak të pengmarrjes serbe nëpërmjet rolit të saj në politikën e brendshme të këtyre 3 vendeve. Serbia është rikthyer në gjeneratorin kryesor të destabilizimit të rajonit por edhe në mundësinë e vetme të një paqe të mundshme, sidomos në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë, në rast se ajo do të kishte një angazhim serioz në perspektivën e saj europiane. Ndërkohë, çështje të tjera që zhbllokojnë status kuonë dhe optimizojnë perspektivën e rajonit, si liberalizimi i vizave për Kosovën apo caktimi i një date fikse me planveprimi të qartë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE, ngelën të pazgjidhura.
Referuar raportit të problematikave të pazgjidhura dhe intensitetit të ngadaltë të veprimit, armiku më i madh i institucioneve të BE-së përballë të cilit vazhdon të humbë, është faktori “KOHË”. Vonesat, pasojë e qasjeve dhe mekanizma vendimmarrës brenda unionit, nuk justifikojnë stanjacionin e procesit të zgjerimit. Samiti i 3 nëntorit rikonfirmoi se drejtimet e lidershipit politik të BE-së, nën presionin e burrokracisë së Komisionit Europian, janë të ndryshme me ato të vendeve anëtare. Vetëm Franca dhe Gjermania shprehen qartë ndaj nismës së Berlinit përballë ofertës së Ballkanit të Hapur, e cila përtej çdo paragjykimi, në rastin më të mirë nuk ka forcë ta shkëpusë rajonin nga turbulencat e padakortësive midis shteteve, pa një garant detyrues mbi palët.
Suksesi nuk qëndron në mos bërjen e gabimeve, por në mos bërjen e gabimeve të njejta dy herë thotë George Bernard Shaw. Nisma e re franceze e krijimit të “Komitetit Politik Europian” me pjesëmarrjen e 27 lidërve të BE-së dhe 17 lidërve të kontinentit, aktualisht jashtë unionit, ngjan më shumë me një organizatë të re paneuropiane me objektiva të paqarta, sesa një projekt real zgjerimi të BE-së drejt lindjes dhe Ballkanit Perendimor. Konfuziteti mund të shkoi më tej. Deklarata e presidentit Makron “përtej Ballkanit Perëndimor ne duhet të ridimensionojmë hapësirën politike europiane”, shënon pikëpyetje serioze mbi sakrifikimin e mundshëm të Ballkanit Perëndimor në këmbim të projektit francez. Këtë e përforcon edhe më shumë diskordanca e qëndrimit të kancelarit Scholz ndaj projektit francez thënë: “ne nuk duhet të frenojmë BE-në nga pranimi i anëtarëve të rij, vecanërisht të shteteve të Ballkanit Perëndimor”.
Me këto paqartësi, nisma franceze dëmton dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE. Më së shumti dëmton perspektivën e Kosovës dhe Bosnje-Hecegovinës, të cilat nuk janë anëtarësuar akoma në NATO, pa harruar shtimin e hapësirave të influencës që i krijon Rusisë dhe Kinës në skajet jugore dhe lindore të kontinentit, mediat e së cilës e quajtën projektin francez “Perëndimi i Europës”.
Mungesa e investimeve të huaja, kriza ekonomike, efektet negative të agresionit rus në Ukrainë, cmimet e larta të energjisë dhe drithërave, e bëjnë të pamjaftueshme mbështetjen prej 1 miliard eurosh të BE-së për rajonin. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në kushtet e papërballueshme të krizës, do të jenë të detyruara të kthejnë kokën për ndihmë nga Turqia, vendet arabe, në rrethana të caktuara edhe nga Kina, pa c’ka se është aleate e Rusisë.
Pamundësia e BE-së të ndërtojë mekanizma zgjidhës dhe institucione të qëndrueshme në rajon, u duk qartë në rinovimin edhe 1 vit tjetër të misionit EUFOR në Bosnje-Hercegovinë. Kritikat për rritjen e influencës turke në Ballkan, skepticizmi i shtuar i qytetarëve të vendeve anëtare për zgjerimin e BE-së si dhe rritja e notave të pesimizmit për integrimin në vendet e Ballkanit, janë vetëm një pjesë e rezultateve negative të sondazheve aktuale.
Fati anon nga ai që guxon thotë Virgjili. NATO është shpresa e vetme e aspiratave integruese euro-atlantike të popujve të rajonit. Aleanca e Atllantikut ngelet i vetmi institucion ndërkombëtar serioz për sigurinë dhe perspektivën e Ballkanit.
Procesi i Berlinit, Ballkani Hapur apo cdo iniciativë tjetër rajonale, nëse nuk mbështeten financiarish me projekte terreni, të prekshme nga shoqëritë, vështirë të gjejnë rrugën e suksesit në labirinthet autoritariste të lidershipit ballkanik. Përtej ping-pongut politik me lidershipin e rajonit, BE duhet të marri në konsideratë projekte mbështetëse reale me botën akademike, rininë, shoqërinë civile, të cilat konsolidojnë elementet bazikë të bashkëjetesës së shoqërive në Ballkanin Perëndimor dhe ndërpresin mundësinë e furnizimit të konflikteve nga aktorë joshtetërorë. Bie fjala, atë të bashkëjetesës fetare. Rasti i përplasjes së shtetit me kishën në Malin e Zi e cila ka ushqyer destabilizimin prej 2 vjetësh në këtë vend apo mungesa e një marrëveshje mes kishës dhe shtetit në Kosovë, e përdorur politikisht nga palët, rrisin potencialin e konfliktit social të brendshëm dhe në rajon.
Nuk ekziston asnjë cilësi më esenciale për suksesin se sa këmbëngulja, thotë
John D. Rockfeller. Samiti i rradhës në Tiranë më 6 dhjetor, do ketë një rol të rëndësishëm në këtë moment kyc të politikës rajonale, vetëm nëse nga aty dilet me dokumenta dhe propozime konkrete për të ardhmen perspektive dhe strategjike të rajonit tonë.