Arrestohet në flagrancë një shtetas për mit-dhënie të punonjësit të policisë Kufitare.
Nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, u arrestua në flagrancë shtetasi Asim Durra, 28 vjeç, lindur në Kukës. Kjo, pasi shtetasi i mësipërm do të udhëtonte nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Belgjikës.
Gjatë intervistimit të shpejtë në kabinë nga ana e punonjësit të Policisë Kufitare ky shtetas ka ngjallur dyshime në lidhje me motivin e udhëtimit dhe destinacionin e tij final dhe për këtë arsye është kaluar për kontroll në vijën e dytë . Gjatë procesit të kontrollit fizik shtetasi Asim Durra ka nxjerrë një kartëmonedhë 50 Euro dhe ja ka ofruar grupit të kontrollit me qëllimin që ta lejonin të udhëtonte pa shumë verifikime, duke konsumuar veprën penale të korrupsionit në formën e mit-dhënies. Pas kësaj tentative është bërë shoqërimi në Komisariatin e Policisë Rinas i personit të mësipërm si dhe është bërë sekuestrimi i kartmonedhës 50 Euro në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera , u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Asim Durra për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.